Bota Franca: 1000 dollarë për frymë në vit për të luftuar ngrohjen globale

Franca: 1000 dollarë për frymë në vit për të luftuar ngrohjen globale

Përmbushja e qëllimeve të Marrëveshjes së Klimës në Paris do të kushtojë 1.000 dollarë për frymë në vit, tha ministri Francez i Financave Bruno Le Maire, duke bërë thirrje për një rifinancim të Fondit të Klimës së Gjelbër.

“Ngrohja e klimës është e shtrenjtë. Sipas vlerësimit tonë, nëse do të përmbushim qëllimet e Marrëveshjes së Parisit, 1000 dollarë për frymë do të nevojiten në vit për vitet e ardhshme,” shpjegoi ministri në Pallatin Elysee pas takimit me përfaqësuesit e ekonomisë.

“Organizatat ndërkombëtare duhet të mobilizohen; Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve, dhe ne presim njoftime rreth Fondit të Klimës së Gjelbër nga samiti i G7 në Birarritz”, vazhdoi ai.

Ai saktësoi që u kishte bërë thirrje kolegëve të tij, ministrave të financave të G7 dhe u kërkoi atyre që të merrnin pjesë në atë rifinancim.

Fondi i Gjelbër i Klimës, i krijuar në Kankun- Meksikë në vitin 2010 dhe i filluar në Durban-Afrika e Jugut vitin e ardhshëm, u jep përparësi vendeve në zhvillim më të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike.

Qëllimi fillestar i fondit ishte mbledhja e 100 miliardë dollarëve në vit nga vendet e zhvilluara për përfitimin e vendeve në zhvillim. Marrëveshja e Parisit më vonë e shtriu këtë objektiv deri në vitin 2025.

Përveç këtyre shumave, Bruno Le Maire dëshiron të mobilizojë “instrumentet teknike për të drejtuar fluksin financiar drejt luftimit të ngrohjes së klimës dhe energjisë së rinovueshme”.

“Tregues të besueshëm, të saktë dhe neutralë janë të nevojshëm për menaxherët e aseteve, bankat, kompanitë e sigurimeve, që të përqëndrohen në kursimet e individëve në luftën kundër ngrohjes së klimës dhe energjisë së rinovueshme”, tha ministri, i cili me kolegët e tij formuan një “koalicion të ministrave të financave për financimin e gjelbërt”.