Xherdan Shaqiri e ka shokuar kombëtaren e Zvicrës. Të premten e kaluar, mesfushori shqiptar, 27 vjeç, ka hequr dorë vullnetarisht nga ndeshja e radhës në Irlandë. Ai ka thënë se dëshiron të përqendrohet te Liverpool. Të paktën kështu është komunikuar nga drejtuesit e kombëtares helvete.
E megjithatë, sikurse njofton “Blick”, problemi është më i thellë, ka të bëjë me marrëdhëniet midis trajnerit Vladimir Petkovic dhe Shaqirit: “Për ta thënë me pak fjalë: Marrëdhënia midis trajnerit dhe lojtarit të tij është shumë e ftohtë. Kjo situatë ka disa vite. Shaqiri nuk ndihet i vlerësuar nga Petkovic si në kohën e Otmar Hitzfeld.
Dhe mbi të gjitha në diskutim është shiriti i kapitenit, i cili e mërzit thellësisht Shaqirin. Raporti i acartë midis trajnerit dhe yllit të kombëtares së Zvicrës fillon më 19 maj 2016. Vladimir Petkovic zbuloi 28 lojtarët, që do të merrte në kampin përgatitor të Kampionatit Europian. Kapiteni Gökhan Inler nuk ishte më atje. Dhe kështu, Petkovic vendosi hierarkinë e re për shiritin. Stephan Lichtsteiner u bë kapiten, Valon Behrami zëvendës i tij, ndërsa Granit Xhaka i treti. Në heshtje pati debate në atë kohë. Yann Sommer ishte injoruar, duke u zëvendësuar nga Xhaka. Edhe Xherdan Shaqiri mbeti i pakënaqur që Xhaka vendosej para tij në hierarkinë e kapitenit.
“Po sikur Kosova të më dojë si kapiten?”
Duhet ta dini: është një periudhë “zbori”, që i bashkon Xhakën dhe Shaqirin në nivel klubi. Të dy e fillojnë me të rinjtë e Basel dhe pastaj kalojnë në ekipin e parë, ku bien në sy. Që aty “fluturojnë” si profesionistë në destinacione të ndryshme. Së pari transferohet Shaqiri në klubin e nivelit të lartë, Bayern Munich, ndërsa Xhaka mjaftohet “vetëm” me Gladbach. Pastaj Shaqiri luan “vetëm” te Stoke, ndërsa Xhaka shkon tek Arsenali i madh. Më tej, Shaqiri kalon te Liverpool, duke e kapërcyer sërish Xhakën me… ndjekësit në Instagram.
Prandaj, Shaqiri ndihet i pavlerësuar te Zvicra në raport me Xhakën, me këtë të fundit që ka më pak paraqitje ndërkombëtare. Në vende si Argjentina apo Portugalia, me Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo është e zakonshme që lojtari më i mirë sulmues të drejtojë ekipin si kapiten, një shenjë vlerësimi. Në tërbimin e tij, Shaqiri madje flirtoi para “Euro 2016” me ndryshimin e kombëtares, çka do të ishte e mundur në atë kohë: “Po sikur Kosova të më dojë si kapiten?”
Edhe në vazhdim nuk e fshehu pengun e tij: “Të gjithë duan të jenë kapitenë. Unë jam në krye të hierarkisë. Do të duhej të isha me kapitenët. Jam padyshim i zhgënjyer”. Kapiteni i asaj kohe, Lichtsteiner, e mbështeti shqiptarin e Liverpool: “Unë e kuptoj Shaqirin…” Kështu që ai ndjen më pak përgjegjësi te kombëtarja helvete. Shaqiri veproi në të njëjtën mënyrë në mars 2018, para dy ndeshjeve miqësore kundër Greqisë dhe Panamasë. Asokohe u justifikua me tranferimin te Stoke City. Kjo i mërziti disa lojtarë te Zvicra, bashkë me Petkovic.
Skandali i fundit, Petkovic duhet të përgjigjet
Situata përkeqësohet, sepse Shaqiri ndihet i pavlerësuar nga Petkovic prej një kohe të gjatë. Shumë detyra mbrojtëse i imponoheshin atij në mesfushë. Në një moment tjetër, Petkovic e pozicionoi atë si “10”. Marrëdhëniet e ngurtësuara mes Petkovic dhe Shaqirit nuk mund të përdoren si justifikim, që golashënuesi më i mirë aktual i “Nati” (22 gola) të heqë dorë nga ndeshja e rëndësishme në Irlandë. Sidoqoftë, Petkovic është përgjegjës për skandalin e fundit me Shaqirin. Sot, Zvicra i fillon përgatitjet pa lojtarin që ka luajtur 82 herë me kombëtaren. Të enjten, Irlanda na pret në Dublin, ndërsa të dielën, Gjibraltari vjen në Sion. Për herë të parë, Pierluigi Tami, trajner i U-21, tregoi sesi integrohen Shaqiri dhe Xhaka së bashku. Ai bëri Yann Sommer kapiten. Është krejt e mundur që në këtë mënyrë të ishte parandaluar ky “acar” në kombëtaren helvete”.