Përplasjet mes Xherdan Shaqirit dhe trajnerit të kombëtares Vladimir Petkoviç, po kthehen në skandal te Zvicra. Pasi refuzoi grumbullimin në kombëtare për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Zvicrës kundër Irlandës dhe Gjibraltarit, mediat helvete kanë ngritur dyshime për refuzimin që Shaqiri i bëri kombëtares.
Një nga gazetat më të mëdha zvicerane, Blick, është shprehur se arsyeja e vërtetë që Shaqiri ka refuzuar kombëtaren, është përplasja me Petkoviç. Sipas asaj që raportohet, shkak është bërë shiriti i kapitenit në kombëtare, ku Petkoviç ka preferuar Granit Xhakën përpara Xherda Shaqirit.
“Dua të përqëndrohem te Liverpool”, ka qenë deklarata e shkurtër që Shaqiri ka bërë pas refuzimit të ftesës në kombëtare. Ndëkohë, Blick shkruan se shkaku kryesor është trajneri. “Për ta thënë me pak fjalë; marrëdhënia midis trajnerit dhe lojtarit është shumë e ftohtë. Kjo situatë është krijuar për disa vite. Shaqiri nuk ndihet i vlerësuar nga trajneri Petkoviç si në kohën e Otmar Hitzfeld. Dhe mbi të gjitha në diskutim është shiriti i kapitenit, i cili e mërzit thellësisht Shaqirin”, shkruan gazeta zvicerane.
Krisjet mes Petkoviç dhe Shaqirit kanë nisur prej Euro 2016, kur futbollisti me orgjinë shqiptare në atë kohë bëri dhe një deklaratë ku shprehte haptazi pakënaqësinë ndaj trajnerit. “Të gjithë duan të jenë kapitenë. Unë jam në krye të hierarkisë, do të duhej të isha me kapitenët. Jam padyshim i zhgënjyer”, ka thënë Shaqiri. Kjo deklaratë e tij në atë kohë është mbështetur dhe nga ish kapiteni i Zvicrës, Lichtsteiner.
Ndërkohë, Blick shkruan se trajneri Petkoviç ka një sjllje arrogante në komunikim me lojtarët, por shpesh kritikat ndaj tij janë shuar për shkak të rezultateve, por tashmë skuadra Zvicerane nuk ka më as rezultate. Në nëntë ndeshjet e fundit, kombëtarja helvete ka regjistruar 5 humbje, 1 barazim dhe vetëm 3 fitore.