Sport Juventus kërkon të marrë 3 lojtarë të Manchester United, pa paguar asgjë

Juventus kërkon të marrë 3 lojtarë të Manchester United, pa paguar asgjë

Juventus synon të marrë tre lojtarë nga Manchester United verën e ardhshme, mundësisht pa paguar asnjë qindarkë. Sipas të përditshmes sportive italiane “Gazzetta dello Sport”, trajneri Maurizio Sarri i ka vënë syrin portierit David de Gea, mbrojtësit Eric Bailly dhe mesfushorit Nemanja Matic. Të tre lojtarët janë në vitin e fundit të kontratës me klubin anglez dhe nëse përgjatë vitit nuk do të ketë rinovim me asnjërin prej tyre, atëherë Juventus do të merrte të paktën dy lojtarë të klasit të lartë.

Nuk do të ishte hera e parë që Juventus kryen një operacion të tillë, me kosto zero. Këtë verë, bardhezinjtë morën në Torino Aaron Ramsey nga Arsenal dhe Adrien Rabiot e Gigi Buffon nga PSG pa paguar asgjë, duke shpenzuar pa u menduar gjatë milionat që duheshin për të marrë talentin e Ajax, Matthijs de Ligt.

De Gea luan te United prej vitit 2011 dhe dukej i gatshëm të largohej më parë, kur e kërkonte Real Madrid. Ndërsa Bailly, nga Bregu i Fildishtë, nuk është më titullar në “Old Trafford” dhe mund të përfitojë nga mundësia për të provuar fatin diku tjetër. E njëjta situatë është edhe për serbin Matic, i cili këtë sezon ka humbur vendin e titullarit.