Sport Italia me numra për rekord, si i shndërroi Mancini në më pak...

Italia me numra për rekord, si i shndërroi Mancini në më pak se një vit

Mungesa e bujshme në Kampionatin Botëror të Rusisë më 2018-ën, duket një kujtim i largët për Italinë, që në pak më tepër se një vit kohë me Roberto Mancinin në stol, është larguar totalisht nga ajo e kaluar e hidhur.

Në Finlandë, “axurrët” kanë arritur të marrin fitoren e 6 në po kaq ndeshje kualifikuese të Euro 2020-ës, ndërsa po të shtosh edhe miqësoren me Shtetet e Bashkuara, numri i fitoreve radhazi shkon në 7, diçka që nuk ndodhte nga viti 2003, kur në pankinë ishte Giovanni Trapatoni.

I emëruar në pankinën e Italisë në maj të vitit të kaluar, Roberto Mancini besoi shumë te të rinjtë, duke kërkuar vazhdimisht që të ndërtojë një skuadër që luan bukur futboll, ndërsa të besuarit e tij, edhe kur nuk arrijnë të shkëlqejnë, të paktën krijojnë raste dhe shënojnë gola.

Një punë mjaft e mirë e Mancinit, që nis me organizimin e lojës që nga mbrojtja, gjë që është parë vazhdimisht në ndeshjet e fundit të Italisë, ndërsa janë dy mesfushorët tashmë të Interit, Nicolo Barella dhe Stefano Sensi, që kanë shtuar cilësinë në ekip.

Nga ana tjetër, pas një ndeshjeje të dobët në Armeni, Barella u rikthye të shkëlqente të dielën, duke treguar se është i njëjti talent që spikati te Cagliari.

Një notë mjaft pozitive është edhe Federico Chiesa, që vjen pas një vere të komplikuar, i rrethuar nga zërat e merkatos, por ndeshjen e djeshme u rishfaq edhe njëherë padron në krahun e djathtë të sulmit, duke dhënë një asist fantastik për Ciro Immobilen.

Pikërisht bomberi i Lazios justifikoi plotësisht besimin e Roberto Mancinit, që e kishte hedhur në fushë nga minuta e parë në Finlandë, duke lënë në stol Belottin, por edhe ky i fundit ishte mjaft i rëndësishëm në 15 minutat e fundit të sfidës.