Bota Çfarë është backstop? Dispozita e Brexit-it që ka futur në sherr Britaninë...

Çfarë është backstop? Dispozita e Brexit-it që ka futur në sherr Britaninë me BE-në

”Rrjetë sigurie” ose ”backstop” supozohet të shmangë rivendosjen e kufirit fizik mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Është dispozitë e marrëveshjes së Brexit-it që kryeministri Boris Johnson kërkon ta eliminojë.

Duke penguar rivendosjen e kufirit fizik mes Republikës së Irlandës (anëtare e BE-së) dhe Irlandës së Veriut (provincë britanike), kjo dispozitë ka si qëllim të ruajë marrëveshjet e paqes të vitit 1998, që i dhanë fund dhunës 30-vjeçare mes komuniteteve si edhe integritetin e tregut të përbashkët evropian.

Kjo dispozitë është pjesë e marrëveshjes së përfunduar nëntorin e kaluar mes Brukselit dhe ish-kryeministres britanike, Theresa May, por që është refuzuar tri herë nga deputetët e Uestminsterit. Bëhet fjalë për një zgjidhje të çastit të fundit, që do të hyjë në fuqi vetëm pas një periudhe tranzicioni, nëse nuk gjendet zgjidhje tjetër mes Londrës e Brukselit.

Konkretisht, ky mekanizëm ka të bëjë me krijimin e një territori të përbashkët doganor duke përfshirë BE-në dhe Britaninë e Madhe, gjë që do të kufizonte mundësinë e Londrës për të negociuar traktate tregtare me vendet e treta.

E paimagjinueshme për mbështetësit e një ndarjeje pa lëshime me Brukselin, të cilët besojnë se kjo gjë do ta lidhte pa afat vendin e tyre me BE-në. Për më tepër, Irlanda e Veriut do të mund të angazhohej veç në një numër të kufizuar të rregullave të tregut të përbashkët evropian, siç janë, për shembull, normat shëndetësore për kontrollet veterinare.

Kjo dispozitë është refuzuar nga Unioni (pro britanik) irlandezo-verior, DUP, aleat i konservatorëve britanikë dhe është konsideruar si një sulm ndaj sovranitetit të Britanisë së Madhe, duke qenë se provincat e saj do të rregulloheshin nga ligje krejt ndryshe, të vendosura diku tjetër.

Nëse do të aplikohej “backstop-i”, do të duhej një vendim i përbashkët për t’i dhënë fund, me nevojën për të gjetur një tjetër marrëdhënie tregtare, duke përjashtuar çfarëdolloj kontrolli doganor në kufirin me Irlandën.

Boris Johnson pohoi sërish se qeveria e tij nuk do të vinte kurrë kontroll fizik mes dy Irlandave, edhe në rastin e një Brexit-i pa marrëveshje, pra, edhe pa një “rrjetë sigurie” irlandeze.

Homologu i tij irlandez, Leo Varadkar vuri në dukje se deri më tani Londra nuk ka paraqitur ndonjë alternative “realiste”, më pak se dy muaj larg nga hyrja në fuqi e Brexit më 31 tetor.