Politika KED rrëzon gjyqtaren Zhaklina Peto

KED rrëzon gjyqtaren Zhaklina Peto

Gjyqtarja Zhaklina Peto fitoi të drejtën në gjykatë që të vlerësohej si kandidate për Gjykatën Kushtetuese.

Por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e rrëzoi sërish kandidaturën e saj në mbledhje e kësaj të hëne. Në fund të mbledhje është publikuar vendimi.

Në vendim thuhet: Në lidhje me kërkesën paraprake të kandidates Zhaklina Peto, të paraqitur për pretendimin e saj mbi gjendjen e konfliktit të interesit dhe përjashtimit të të gjithë anëtarëve nga shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidaturave për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, përpara vijimit të bisedimit të Këshillit mbi gjetjet në procedurën e verifikimit të kësaj kandidateje, Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit, në zbatim të neneve 222-225 të ligjit nr. 115/2016, pasi shqyrtuan motivet përkatëse, vendosën rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e secilit anëtar të Këshillit nga procedurat e verifikimit të kandidaturave të kandidates Zhaklina Peto, si të pambështetur në ligj. Gjithashtu u vendos:

  1. a) Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018;
  2. b) Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018.
  3. Gjithashtu, pas shqyrtimit të gjendjes lidhur me ecurinë e procedurës së verifikimit të kandidaturave për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke konstatuar se janë 4 kandidatë të lejuar për kandidim, në zbatim të nenit 147/d të Kushtetutës dhe nenit 201 të ligjit nr. 115/2016, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi:
  4. a) Pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
  5. b) Shpalljen e procedurës së thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Paraqitja e interesit për kandidim, së bashku me dokumentacionin shoqërues, depozitohet në zyrën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pranë Gjykatës së Lartë, deri në datën 20 Shtator 2019.

Teksti i shpalljes së thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, gjendet në në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, pjesa për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, në zërin K.E.D “Vende Vakante”.