Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për Saimir Tahirin. Por ky i fundit i ka kundërshtuar ashpër akuzat e prokurorisë. Në dëshminë që ka dhënë në seancë, Tahiri u shpreh se i ka kërkuar ministres së Mbrojtjes të asaj kohe Mimi Kodheli, që të ndërhyjë për të kontrolluar radarët pasi ishin vënë re lëvizje të dyshimta.
“Në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar as kohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punon radarët”, mësohet të jetë shprehur Tahiri.
Ish-ministri i Brendshëm ka kundërshtuar edhe akuzat për trafikun e drogës.
“Për sasinë e parë që më akuzoni kisha vetëm një javë që kisha marrë detyrën, ndërsa për sasinë e dytë vetëm dy muaj. Habilajt kanë qenë disa herë të proceduar gjatë kohës që unë kam qenë Ministër. Prokuroria më akuzon mua për 4 episode trafikimi droge. Prokuroria më akuzon për raste të trafikimit në 2013, 2014, 2015. Ndërkohë që dy hetimet konkrete, ndaj Taulant Haxhirajt dhe Moisi Habilajt kanë nisur në 2016”, është shprehur Tahiri.
Lidhur me akuzën që Tahiri ka favorizuar Habilajt, duke u garantuar atyre mbrojtje, Tahiri e kundërshtoi ashpër këtë fakt. Tahiri tha se Policia e Shtetit në 2.10.2013, fill pas episodit të parë kur akuzohet të jetë përfshirë se ka favorizuar Habilajt, kishte dërguar procedim penal ndaj Moisi dhe Florian Habilaj për akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë. “Si mundet që unë t’i dërgoja ata në procedim për sa kohë i favorizoja në trafikun e drogës?!”, ka thënë Tahiri. Sipas prokurorisë, trafikimi është kryer me një peshkarexhë me emrin Fatima.
Tahiri, së bashku me Jaeld Celën, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Boden ish-drejtues policie dhe Gjergj Kohilën ish-drejtues policie, akuzohen për “Trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”.