Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Parandalimin e Vetëvrasjes, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi aktivitetin “Ditë e hapur” në IEVP-në “Jordan Misja” ku diskutoi lidhur me këtë tematikë.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, krahas detajeve të aktivitetit zgjodhi që përmes një postimi në rrjetin social Facebook, të përcjellë edhe një mesazh.
Gjonaj nënvizon se pavarësisht historive të suksesit për shpëtimin e jetëve, bilanci duhet të vijojë të përmirësohet.
“Teksa sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Parandalimin e Vetëvrasjeve, bëmë një bilanc të hollësisëm të rasteve të menaxhuara dhe jetëve të shpëtuara nga stafi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në tryezën e diskutimit, IEVP-të Tiranë, Lezhë, Krujë, Durrës, Fushë-Krujë dhe Fier, bënë një analizë të detajuar për çdo rast. Konkluzionet e frytshme të këtij aktiviteti ishin pika referimi dhe reflektimi si për çdo punonjës të sistemit penitenciar ashtu edhe për ne. Pavarësisht rezultateve pozitive që kemi arritur krahasuar me problematikat që hasen, mbetet ende shumë për të përmirësuar lidhur me identifikimin dhe trajtimin e tyre. Fokusi i politikave tona do vazhdojë të jetë mbi ngritjen e kapaciteteve të stafeve për menaxhimin e rasteve të tilla, me qëllim që të plotësojmë të gjitha kapacitetet e nevojshme që çdo i dënuar apo i paraburgosur të trajtohet në mënyrën e duhur gjatë rehabilitimit të tij” shkruan Gjonaj.
Ndërkohë aktiviteti u drejtua nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili, i cili tregoi rolin që po luan ky institucion për parandalimin e aktit të vetëvrasjes në qeli.
Gjithashtu, ai solli në vëmendje edhe disa shembuj konkretë ku ndërhyrja e efektivëve të Policisë së Burgjeve ka qenë në kohë reale për shpëtimin e të dënuarve nga vetëvrasja.
Ndërkohë, Ismaili foli edhe mbi ndikimin pozitiv që ka sjellë mbështetja e ofruar nga Ministria e Drejtësisë për transformimin e sistemit penitenciar duke orientuar vuajtjen e dënimit drejt rehabilitimit dhe jo izolimit.
Ndër të tjera ai u shpreh:
“Dëmi më i madh është për familjarët pasi shndërrohet në një plagë të madhe për ta. Ne duhet të tërheqim vëmendjen çfarë kemi bërë, çfarë mund të kishim bërë dhe çfarë do të bëjmë për parandalimin e çdo rasti. Një ndër faktorët kryesor që shkakton vetëvrasjet është izolimi që lidhet drejtpërdrejtë me gjendjen shpirtërore dhe mendore të të burgosurve për shkak të situatës ku ndodhen. Është bërë goxha punë serioze në këtë drejtim. Këtë gjë e shpjegojnë edhe te dhënat statistikore të cilat thonë se ka rënie të mëdha të numrit të vetëvrasjeve në krahasim me vitet e tjera. Në vitin 2016 kemi 38 tentativa për vetëvrasje dhe 1 rast që ka kryer vetëvrasje, në vitin 2017 kemi 37 tentativa për vetëvrasje dhe 6 raste që kanë kryer vetëvrasje, në vitin 2018 kemi 23 tentativa për vetëvrasje dhe 1 rast që ka kryer vetëvrasje, dhe për vitin 2019 kemi 23 tentativa për vetëvrasje dhe 1 rast që ka kryer vetëvrasje”, u shpreh Ismaili i cili nënvizoi që për çdo rast të konstatuar për tentative vetëvrasje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë nga një analizë të detajuar në mënyrë që çdo situatë të integrohet në ciklin e trajnimeve për të gjithë skuadrën e efektivëve.