Kurimi i Michael Schumacher në një spital në Paris, ku po trajtohet me një terapi me qeliza staminale ka rikthyer vëmendjen e mbarë botës te kampioni i Formula 1, i “fshehur” nga familja me shumë rigorozitet që pas aksidentit të pësuar në vitin 2013 duke bërë ski.
Por sipas të përditshmes “Le Parisien”, gjermani është “i vetëdijshëm”. Sipas gazetës franceze, një infermiere e cila është pjesë e skuadrës mjekësore që po kujdeset për të, ka zbuluar: “Ai është në listën e pacientëve të mi dhe mund t’iu siguroj se është i vetëdijshëm”.
Pas incidentit, gjendja e Schumacher u stabilizua pasi u kalua në koma, prej nga është zgjuar më vonë. Duke cituar burime por pa i bërë publike, “Le Parisien” pretendon se 7-herë kampioni i Formula 1 është kuruar edhe dy herë të tjera në spitalin “Georges-Pompidou” në kryeqytetin francez, duke u regjistruar me emër të rremë dhe në kujdesin e një grupi të vogël mjekësh.