Një gjykatë në Prishtinë e dënoi një shtetas të Kosovës me gjithsej 20 muaj heqje lirie nën akuzat për nxitje të veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje.
Bledar Elshani nga komuna e Drenasit rreth 30 kilometra në perëndim të Prishtinës, sipas akuzës “nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe videoregjistrimeve ka bërë propagandë në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë për krijimin e Shtetit Islamik”.
Sipas prokurorisë, i pandehuri me gusht të vitit 2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10 janar të vitit 2019 përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me mbishkrimin “do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar bi’ idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS””.
Tashmë i dënuari ishte arrestuar më 11 janar të këtij viti, ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë nga policia e Kosovës ishte sekuestruar një “Iphone 6” pasi që i është gjetur një fotografi kërcënuese si dhe një thikë.
Gjykata mori parasysh gjatë shpalljes së dënimit, pranimin e fajësisë nga i akuzuari i cili u shpreh “i penduar” për veprimet e tij.
Në vitin 2015 parlamenti i Kosovës miratoi një ligj “për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit” që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për ata që u bashkohen luftërave të huaja, rekrutojnë apo nxisin atë bashkim.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Disa dhjetëra janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve./VOA