Athina zyrtare vazhdon të gjykojë se Tirana nuk po i përmbush detyrimet e veta ndaj minoritetit grek në Shqipëri. Ky gjykim është artikuluar sërish nga ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, në një shkrim të publikuar në të përditshmen vendase, Ta Nea.
“Sa i përket Shqipërisë, është e qartë dobia reciproke nga një përmirësim i marrëdhënieve dypalëshe. Mirëpo, duhet të vë në dukje që Shqipëria vazhdon të mos përmbushë detyrimet e saj në lidhje me të drejtat minoritare dhe pronësore të minoritetit etnik grek”, thuhet në shkrimin e ministrit të jashtëm.
Ky konstatim i ministrit të jashtëm vjen plot një javë, pasi shefi i tij, kryeministri Mitsotakis, kishte deklaruar se “Greqia nuk do të miratojë hapjen e negociatave anëtarësuese të Shqipërisë në BE, në rast se unë nuk shikoj akte konkrete për heqjen e diskriminimit ndaj minoritetit etnik grek”.
Raportet Athinë–Tiranë mbeten të ngrira që prej më shumë se një viti. Takimet informale të nivelit të lartë, në forumet ndërkombëtare, nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Pavarësisht spekulimeve mediatike, në Athinë ende nuk konfirmojnë një takim të kryeministrit Mitsotakis me shefin e qeverisë shqiptare, Edi Rama, gjatë asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Gjithsesi, një burim qeveritar që donte të ruante anonimitetin e vet tha se nëse bëhet një takim i tillë, duhet përgatitur me kujdes, që të prodhojë një rezultat konkret. Por burimi nuk pranoi të komentonte nëse këto parapërgatitje po bëhen në rrugë diplomatike në të dy kryeqytetet, shkruan Respublica.