Nga qyteti i Vlorës ku prezantoi projektin e ri të aeroportit të Vlorës, kryeministri Edi Rama foli edhe për dështimin e negociatave me konsorciumin turk, që kërkoi fillimisht ndërtimin e veprës.
“U përpoqëm të arrinim një marrëveshje me konsorciumin, dhe pas një negociate shumë të gjatë arritëm në konkluzionin se nuk kishim pika afrimiteti për të nënshkruar një marrëveshje. Kërkesat e kompanisë për garancitë që kërkonte nga shteti ishin përtej mundësive tona. E gjitha kjo ndodhte në një kontekst kur Vlora ende nuk e kishte marrë imazhin që ka sot”, tha Rama.
Kryeministri Rama duke folur nga qyteti bregdetar sqaroi se në tavolinë janë dy opsione për ndërtimin e tij.
Së pari ndërtimi nga një kompani serioze ndërkombëtare, ose ndërtimi me paratë e buxhetit të infrastrukturës dhe më pas përzgjedhja e operatorit ndërkombëtar.
Në një takim me qytetarët e Vlorës, kryeministri Edi Rama tha se rritja ekonomike në këtë qytet me ndërtimin e aeroportit do të jetë deri në 27 fish.
“Aeroporti i Vlorës do të mundësojë uljen e avionëve me kapacitet të lartë jo vetëm për qytetarët, por edhe për mallrat. Nuk ka një të tillë në rajon. Me potencialin që ka Vlora është i mundur. Do të ketë edhe një funksion për mirëmbajtjen e avionëve. Do ta bëjë një kompani e jashtme, por do të bëhet këtu. Rritja e ekonomisë është deri në 27 fish me ndërtimin e aeroportit. Kantieri për ndërtimin e aeroportit do të çelet në pranverën e viti të ardhshëm, pra në atë të 2020”, tha Rama.