Politika Meta në takimin me zyrtarin gjerman: Debatet politike ta kthejmë në dialog...

Meta në takimin me zyrtarin gjerman: Debatet politike ta kthejmë në dialog konstruktiv

Presidenti Ilir Meta ka bërë me dije se gjatë ditës së sotme ka pritur në ambientet e presidencës Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë gjermane si dhe deputetin e SPD-së në Bundestag, Christian Lange.

Duke falenderuar Gjermaninë për kontributin e saj dhe mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë, si dhe forcimin e marrëdhënieve strategjike dypalëshe midis dy vendeve, presidenti Meta inkurajoi një vendim pozitiv të Këshillit të Europës për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE.

Me anë të një postimi në rrjetin zyrtar Facebook, Meta ndër të tjera u shpreh gjatë takimit me zyrtarin gjerman se qasja antagoniste ndërmjet palëve duhet të marrë fund sa më shpejt për tu zëvendësuar nga dialogu konstruktiv dhe respektimi i ndërsjellë i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.

Postimi i plotë:

Kënaqësi të takoja sot Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, njëkohësisht deputet i SPD në Bundestagun gjerman, z. Christian Lange.

Besim në mbështetjen e Gjermanisë për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe strategjike ndërmjet dy vendeve.

Duke inkurajuar një vendim pozitiv të Këshillit Europian të 17-18 tetorit 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, shpreha bindjen se qasja antagoniste ndërmjet palëve duhet të marrë fund sa më shpejt, për t’u zëvendësuar nga dialogu konstruktiv dhe respektimi i ndërsjellë i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.