Aktualitet Gjuha angleze/ Rama: Kurse falas në të gjitha universitetet

Gjuha angleze/ Rama: Kurse falas në të gjitha universitetet

Së shpejti në të gjitha universitet e vendit do të ofrohet kurs falas pa pagesë për mësimin e gjuhës angleze.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri, Edi Rama, i cili shtoi më tej se anglishtja do të shërbejë edhe si një kusht për të marrë mbështetje nga shteti pa pagesë.

“Të fillojmë një proces përmirësimi të titujve akademikë dhe të çojmë libra të Oksfordit, Kembrixh-it dhe kjo praktikë të shtrihet në institucionet e arsimit të lartë. Sa i takon bibliotekës kemi vendosur marsin si afat të fundit të vënies në funksion të bibliotekës dixhitale.

Anglishtja do të jetë një nga kushtet që do të përcaktojë shumë gjëra në lidhje të marrëdhënies tuaj me universitetin, shtetin. Tek kjo do të vijmë më vonë se ndërkohë po punojmë që do t’u ofrojmë të gjithëve kurse anglishte falas pa pagesë. Anglishtja do të hyjë te kushtet për të marrë mbështetje nga shteti pa pagesë.”

Më tej, lidhur me kartën e studentit, Rama tha se qeveria ka lidhur një marrëveshje dypalëshe me institucion ekuivalent të qendrës së shërbimeve arsimore në Francë. Ndërsa shtoi se MASR do të bëjë publike të gjitha marrëveshjet e lidhura.

“MASR do të bëjë publike marrëveshjet e lidhura, po shkruhet një draft teknik për mënyrë e aplikimit dhe brenda janarit 2019 janë 2 vendime që do miratohen, fundi i 2019 është afati i realizimit.”

Ndërsa, sa i takon kërkesës së 8-të të studentëve mbi vlerësimin e performancës dhe regjistrimin online, Rama ka njoftuar edhe vendimin për ngritjen e një grupi pune për të ndryshuar VKM-në mbi performancën e tyre.

Ndërkohë, po sot, shtoi Rama është miratuar edhe një vendim për vlerësimin e performancës së personit akademik përmes praktikës së sondazhit kombëtar, një proces i cili pritet të nisë së shpejti.