Dr. Sali Bytyçi
(Shaban Sinani,“Parathëniet e Rexhep Qosjes për letërsinë shqipe në gjuhën serbe”, në “Kontributi i profesor Rexhep Qosjes në kulturën shqiptare” – përmbledhje materialesh, Gjirokastër, 30 tetor 2017)
Hyrje
Reagimin për kumtesën, “Parathëniet e Rexhep Qosjes për letërsinë shqipe në gjuhën serbe”, do ta nis me fjalët me të cilat Shaban Sinani e përfundon atë se, kohëve të fundit, “prej studiuesish dashamirë të autorit (Rexhep Qosjes – vër.ime, S.B.), është vënë në dyshim autorësia e tekstit të parathënies së romanit ‘Kështjella’, botim në gjuhën serbe, dhe është supozuar se ky tekst duhet të jetë një manipulim i botuesit serb, apo ndonjë dore tjetër, që ndoshta krijoi një parathënie duke marrë fjali e paragrafë të shkëputura andej-këndej nga studimet e botuara të R. Qosjes” (42).
Duke e ditur se Rexhep Qosja nuk ka dhënë vlerësime të tilla për Kadarenë në atë kohë (po as më vonë), sa po i vishte Sh. Sinani, isha unë ai që, pasi e dëgjova kumtesën e Shaban Sinanit, në konferencën e Gjirokastrës, dyshova për ekzistencën e një parathënieje të tillë. Dhe si të mos dyshoja kur i dëgjoja këto fjalë, kinse i ka shqiptuar Rexhep Qosja për “Kështjellën” e Kadaresë, të botuar serbisht?! Dyshimi im në ekzistimin e kësaj parathënieje ishte i gabuar, por si e ka analizuar këtë parathënie Shaban Sinani, do të përpiqem të tregoj në këtë reagim timin për “kumtesën” e tij.
Në vazhdim do të trajtoj kundërthëniet e titullit të kumtesës së Shaban Sinanit me përmbajtjen e kumtesës.
Kundërthëniet e titullit me përmbajtjen e kumtesës
-Kundërthënia e parë, që është edhe kundërthënie e dyfishtë, po edhe mashtrim ndaj lexuesit, është kundërthënia e titullit të kumtesës së Shaban Sinanit, “Parathëniet e Rexhep Qosjes për letërsinë shqipe në gjuhën serbe”, me përmbajtjen e kumtesës;
-Kundërthënia e dytë është kundërthënia e kumtesës së Shaban Sinanit me temën e konferencës shkencore “Kontributi i profesor Rexhep Qosjes në kulturën shqiptare”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Universiteti “Eqrem Çabej”;
-Kundërthënia e tretë është kundërthënia mes kësaj kumtese së Shaban Sinanit me vëllimin e veprës së profesor Rexhep Qosjes.
T’i shtjellojmë me radhë kundërthëniet në kumtesën e Shaban Sinanit
1.Sipas Sh. Sinanit, në veprën e Rexhep Qosjes parathëniet nuk janë nënlloj i pëlqyeshëm dhe pasi thotë se ende nuk arrin të provohet që Rexhep Qosja ka shkruar një parathënie për botimin serbisht të romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i madh”, atëherë e vetmja parathënie, e cila sipas tij “ka disa çështje të diskutueshme, duke iu referuar përgjegjësisë së shkrimtarit për shkrimtarin si ndërmjetës me lexuesin e gjuhës tjetër” (32), mbetet parathënia e romanit ‘Tvrđava’ (aq i papërgjegjshëm është në të shkruar sa, në abstraktin e kumtesës në shqip, titullin e romanit të parë të Kadaresë që e përmend, e shkruan në shqip, ndërsa të dytin në serbisht). për ta përmbyllur abstraktin me fjalinë: “Kjo është parathënia e vetme e R. Qosjes ku mund të verifikohet pozicioni i shkrimtarit si ndërmjetës me shkrimtarin” (32).
Kjo kundërthënie është e dyfishtë, sepse, përveç asaj që e shkruan në shumës, kur edhe vetë vjen në përfundim se Rexhep Qosja ka shkruar vetëm një parathënie, ai nuk e shtjellon vetëm këtë parathënie, të cilën e paralajmëron në titull, por, pas hyrjes së stërzgjatur, e shtjellon në leximin paralel që ia ka bërë kësaj parathënie të Rexhep Qosjes për romanin “Kështjella”, të botuar në gjuhën serbe, me parathënien e romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, të Rexhep Qosjes, të botuar në gjuhën frënge, nga Ismail Kadare!
2. Konferenca shkencore ndërkombëtare “Kontributi i profesor Rexhep Qosjes në kulturën shqiptare”, e organizuar nga Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës me bashkë-organizator Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ku përfaqësues të saj ishin Shaban Sinani dhe Floresha Dado), është organizuar për kontributin e profesor Rexhep Qosjes dhënë kulturës shqiptare, kumtesa e Shaban Sinanit përqendrohet kryekëput në “dëmin” që ia ka shkaktuar kulturës shqiptare Rexhep Qosja!
3. Kompleti i veprës së profesor Rexhep Qosjes ka 29 vëllime, në të nuk janë futur edhe disa nga librat e tij të parë, si dhe i ka botuar edhe disa vëllime të ditarit të tij, pra një vepër që ka mbi 20 mijë faqe tekst, kumtesa e Shaban Sinanit në vlerësimin e kontributit të Rexhep Qosjes ndalet në një parathënie që ka 2 faqe e një paragraf të formatit A/4 ose 4 faqe e gjysmë të formatit A/5!
(I)moraliteti i një kumtese
Kumtesa e Shaban Sinanit, “Parathëniet e Rexhep Qosjes për letërsinë shqipe në gjuhën serbe” (shih: “Kontributi i Profesor Rexhep Qosjes në kulturën shqiptare” – përmbledhje materialesh, Gjirokastër, 30 tetor 2017, ff. 32-42, për parathënien e Qosjes fillon nga faqja 39! Përveç abstraktit, kumtesa ka 10 faqe, rreth dy prej të cilave janë me faksimile, ndërsa në faqen e njëmbëdhjetë, përveç katër rreshtave tekst, është bibliografia.
Kjo kumtesë, është e ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë është një lloj hyrjeje në temë.
Pas abstraktit, në të cilin flet për temën që do të shqyrtojë, edhe në pjesën e parë të kumtesës, që ka një faqe e tre rreshta, Shaban Sinani zgjatet në përsiatje për mungesën e promovimit të shkrimtarit nga shkrimtari në letrat shqipe. Pasi konstaton se, në historinë e letërsisë shqipe lartësimi para lexuesit i shkrimtarit prej shkrimtarit nuk përbën dukuri të qëndrueshme, dhe se, sipas tij, rastet më shënjuese të promovimit të shkrimtarit nga shkrimtari i gjejmë kryesisht në periudhën mes dy luftërash, me ç’rast përmend parathëniet e Fishtës për koleksionet nga Prennushi, Gjeçovi e Palaj, pastaj poezinë e Fishtës “Mbi vorr të Anton Xanonit” (1915), artikullin e Mitrush Kutelit “Të dalim të presim Migjenin” (1944), pastaj kontributin e Mitrush Kutelit në botimin e krijimtarisë së Nolit (1943) etj., kthehet për disa dekada prapa në kohë, te Çajupi dhe poezia e tij “Vdiq Naimi, po kush mbeti”, po edhe shekuj prapa, kur kujton se Petrarka e paskësh pagëzuar “Komedinë Hyjnore”, për t’u kthyer te Dritëro Agolli që e paska këshilluar Kadarenë të shkruante një roman me fabulën e zhvarrimit të një ushtrie të huaj, që e kishte zbuluar si reporter!
Shaban Sinanit thotë se shkrimtari është një urdhër që krijon frymë, po çfarë urdhri është shkrimtari dhe çfarë fryme krijon ai, nuk e thotë askund në kumtesë!
Edhe këtë pjesë, si edhe Abstraktin, e përfundon me konstatimin se parathëniet në tërësinë e veprës së Rexhep Qosjes nuk zënë ndonjë vend dhe se “madje është vështirë të përdoret në shumës kjo fjalë për veprën e këtij shkrimtari dhe studiuesi…” (33), po, për habi, prapë nuk heq dorë nga përdorimi i saj në shumës, “parathëniet”(!).
Në pjesën e dytë të kumtesës, e cila është edhe pjesa kryesore e saj (ff. 34-42), Sinani thotë se “nxitje për punë” ishte edhe supozimi se Rexhep Qosjes i përkiste edhe një parathënie shkruar për Antologjinë e poezisë shqipe të Kosovës (1945-1971), përgatitur e botuar së bashku me Vehap Shitën serbisht, po në fund del se antologjia kishte autorësinë e përkthyesit (Vehap Shita), e jo të përgatitësit (Rexhep Qosja), për të kaluar dekadat deri te parathënia e Qosjes romanit të Rudina Xhungës, “Preja e një martese të lodhur”, të shkruar në vitet 2000(sic)! Në vazhdim, i kthehet (mos)botimit të romanit “Dimri i madh” – “Dimri i vetmisë së madhe”, në kompletin e Ismail Kadaresë nga “Rilindja” e Prishtinës, pastaj flet për historikun e vonimit të botimit të disa romaneve të Kadaresë në Shqipëri, si “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe “Dimri i madh”, më tej gjerësisht trajton përpjekjet për ta botuar në serbisht “Dimrin e madh” dhe mosarritjen e botimit të tij në këtë gjuhë.
Faqen e dytë të pjesës së dytë të kumtesës, që ka 8 rreshta shkrim dhe një faksimile, e përmbyll me një citim të gjatë të BegzadBaliut për historikun e mosbotimit serbisht të “Dimrit të madh”. Po nuk e lë me kaq, temën e përpjekjeve për botimin e “Dimrit të madh serbisht” e shtjellon edhe në faqen vijuese, me ç’rast citon një letër të Ismail Kadaresë në të cilën ky i fundit thotë se shtëpia botuese “Fayard” e kishte lajmëruar shkrimtarin se ishte në tratativa me jugosllavët për botimin e romanit serbisht, për të arritur në konkluzionin se ka pasur vetëm një nismë për botimin e romanit të Kadaresë në serbisht, dhe kjo ishte nisma e “Fayardit”, ndërsa Hasan Mekuli ishte në rolin e ndihmësit në këtë drejtim.
Në paragrafin e fundit të faqes së tretë të pjesës së dytë të kumtesës, Sinani i kthehet temës së tij të paralajmëruar që në titull, ku, në vend që të shtjellojë temën e paralajmëruar në titull, thotë se “në pikëpamje të ndriçimit të pyetjes se çfarë kanë bërë shkrimtarët për përurimin e njëri-tjetrit, parathënies së Rexhep Qosjes për romanin Tvrđava dhe hyrjes së Ismail Kadaresë për botimin frëngjisht të romanit Vdekja më vjen prej syve të tillë mund t’u bëhet një lexim paralel” (36-37), për të vazhduar se këto dy parathënie kanë jo pak ndryshime nga njëra-tjetra, sepse Qosja lexuesit të gjuhës tjetër ia bën të njohur kryesisht jetëshkrimin e autorit, si dhe disa vepra jokryesore të autorit (romanin “Dasma” dhe librin me reportazhe “Qyteti i jugut”, pastaj poemat “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male”, si dhe përkatësinë e shkrimtarit Ismail Kadare realizmit socialist, dhe “fare-fare pak fjalë për romanin vetë” (37).
Vlerësimin se parathënia e Qosjes është “një guidë asnjanëse për lexuesin e huaj” e jep që në fillim të faqes 38, ende pa e analizuar fare parathënien e Qosjes, ndërkaq vazhdon me parafjalën e Kadaresë për romanin e Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, për të cilën i jep vlerësimet më të larta. Sipas Sh. Sinanit, përmes parathënies Kadare shfrytëzon rastin të bëjë një skicë të shkurtër të historisë së letërsisë shqipe të Kosovës, pastaj për prirjet e kësaj letërsie dhe për personalitetin e autorit në këtë kontekst. Pra, nuk flet për këtë parathënie të Kadaresë për romanin e Qosjes, po i kthehet historikut të kontributit të Kadaresë dhënë letërsisë së Kosovës! Në këtë vazhdë arrin deri te botimi i librit të fundit me tregime të Kadaresë në serbisht në vitin 2017, për t’u kthyer te dramatizimi i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” nga Teatri popullor i Kosovës në vitet 80, dhe për ndërhyrjet që i janë bërë tekstit, të cilat e paskan dekontekstualizuar ngjarjen e romanit, duke arritur deri atje sa gjenerali fashist i romanit të Kadaresë në shfaqje të bëhet gjeneral nazist! Pra, e paskan jugosllavizuar tekstin e gjeneralit! Një gjeneral nazist që kërkon ushtrinë e vet në tjetërkund dhe që ky tjetërkund nënkuptohet si ish-Jugosllavia!
Kështu, nga faqja 32, që është edhe faqja e parë e kumtesës së Shaban Sinanit, arrijmë deri te faqja 39 e librit me kumtesa, po ky ende nuk ka hyrë në analizën e parathënies së Qosjes për romanin e Kadaresë “Kështjella”, titullin e së cilës kryesisht e shkruan serbisht!
Në faqen 39 i kthehet temës, me fjalët “Sikurse përmendëm, në parathënien e R. Qosjes për ‘Kështjellën’, botim në gjuhën serbe, një faqe e tekstit i kushtohet autorit”, me ç’rast ndalet te gabimi që ka bërë Rexhep Qosja kur shkruan se Ismail Kadare ka lindur në Elbasan, ndërkaq Kadareja ka lindur në Gjirokastër dhe që këtu fillojnë edhe (keq)interpretimet e Sh. Sinanit për parathënien e Qosjes romanit të Kadaresë.
Se si e “interpreton” parathënien e Qosjes Sh. Sinani, unë do të përdor përvojën e këtij të fundit: duke e krahasuar tekstin e kumtesës së Sinanit me parathënien e Qosjes.
Keqinterpretimet
Sipas Shaban Sinanit Qosja thotë se “I. Kadare u bë i njohur duke shkruar çdo vit nga një roman dhe që njohja e tij e shpejtë si shkrimtari më i lexuar në Shqipëri shpjegohet sidomos me arritjet si autor tregimesh të shkurtra e reportazhesh si vëllimi ‘Qyteti i jugut’, mbeten të dyshimta e zor se mund të verifikohen” (39), ndërkaq Rexhep Qosja në parathënie është shprehur: “Duke botuar gati çdo vit roman, përmbledhje poezish, përmbledhje tregimesh apo përmbledhje kritikash dhe esesh, ai do të arrijë që të bëhet sot njëri nga personalitetet krijuese më të çmuara dhe, gjithsesi, më të gjithanshme të letërsisë shqipe” (Tvrđava, f. 9).
Sipas Qosjes, i bie që Kadare çdo të pestin apo të gjashtin vit shkruan roman, e jo çdo vit, siç thotë Sinani!
Shaban Sinani thotë se Qosja që në fillim e paralajmëron lexuesin se “romani ‘Kështjella’, me gjithë vlerat e veta, nuk i solli ndonjë sukses të dukshëm as brenda dhe as jashtë vendit, siç kishte ndodhur me ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’, për natyrën dhe funksionet e një parathënieje, si dhe referuar pyetjes shkencore që kemi parashtruar, për misionin promovues të shkrimtarit-koleg, vjen kontekstualisht me pikëpyetje” (39), ndërkaq Qosja thotë se, pa marrë parasysh që nuk e ka arritur suksesin e romanit të tij të parë as në vendin e tij as jashtë vendit të tij, “romani Kështjella për nga vlera artistike nuk është më pak i vlefshëm se Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (10).
Shaban Sinani ia sheh për të madhe Qosjes që paskësh thënë se “Romani ‘Tvrđava’ në asnjë mënyrë nuk mund të shihet si vepër avangardë sipas kuptimit evropian e botëror, ai mund të jetë i tillë vetëm në kuadër të romanit shqiptar” (39).
Studiuesi i letërsisë së pari duhet të jetë objektiv: në objektivitetin e tij është edhe etika e tij. As romani i Kadaresë “Kështjella”, po as romani i Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kur dihet se të dyja këto romane janë botuar shumë kohë pas romaneve të Xhojsit, Kafkës, Prustit etj., nuk përbëjnë ndonjë vepër avangarde në kuadër të romanit evropian.
Në kumtesë, Sh. Sinani thotë se Qosja edhe një herë në këtë parathënie, tani drejtuar lexuesit serb pas atij shqiptar, thotë se “këtij romani simbolikisht mund t’i bëhet një lexim i dyfishtë, që ndërlidh fatin e popullit shqiptar në shekullin XV, kur legjendari Skënderbe për një çerek shekulli luftoi me sukses kundër pushtimit otoman në Ballkan, nga njëra anë, dhe fatin e Shqipërisë së sotme nga ana tjetër” (39). “Përafrimin e dy kohëve ai e zgjat deri tek aluzioni se para figurës së Skënderbeut mund të shihet një figurë e Shqipërisë së sotme (ne retko i prepoznatljivimlikovima), që nuk mund të jetë tjetër përveç asaj të E. Hoxhës, dhe ky aluzion, në vend që ta ndihmonte romanin, mund të bënte të kundërtën” (40).
Kur Qosja thotë se edhe pse “kohësisht të përcaktuara nga temat, ngjarjet e, jo rrallë, edhe nga personazhe të njohura, romanet e tij bëhen universale”, nuk ka parasysh vetëm Enver Hoxhën, po edhe Gjergj Kastriotin, Ali Pashë Tepelenën etj.
Shaban Sinani: “Pak e çuditshme është që autori i parathënies gjithë pjesën tjetër të tekstit ia kushton romanit ‘Dasma’, romanit ‘Dimri i vetmisë së madhe’ dhe dy poemave me karakter epik-heroik (Shqiponjat fluturojnë lart dhe Përse mendohen këto male)” (40). Ndërkaq, Rexhep Qosja, në parathënien për botimin serbisht të “Kështjellës”, flet shkurt për romanet “Dasma” e “Dimri i vetmisë së madhe”, po asnjë fjalë nuk e thotë për poemat “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male”, po kur përmend veprat më të njohura të Kadaresë, në mesin e tyre përmend edhe vëllimet poetike më të njohura të Kadaresë në atë kohë: “apo përmbledhjet e poezive ‘Përse mendohen këto male’ dhe ‘Motive me diell’”, në origjinal: “ilizbirkepesamaZaštomisleove gore i Motivi sa suncem” (Tvrđava10). Se ku e gjen të përmendet poemën “Shqiponjat fluturojnë lart”, këtë mbetet të na tregojë Sh. Sinani! Ato nuk përmenden askund në tekstin e Qosjes.
Shaban Sinani thotë se “Ajo që mund të thuhet me siguri është që të gjitha vëmendjet e Rexhep Qosjes në parathënien për ‘Kështjellën’ janë dritësuar në ato veprat të Kadaresë që kanë një prekje të tërthortë a të drejtpërdrejtë me bashkëkohësinë, si romani ‘Dimri i vetmisë së madhe’” (40). Ndërkaq, Rexhep Qosja ka thënë: “Pavarësisht a e merr lëndën prej të kaluarës më të largët (Kështjella), më të afërme (Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gurë, Dimri i vetmisë së madhe, Nëntori i një kryeqyteti) apo edhe prej përtashësisë (Dasma), Ismail Kadare gati gjithnjë do të ketë sukses në vendosjen e raporteve midis kohëve, ideologjive, kombeve në kontekste të ndryshme kohore dhe shoqërore” (12).
Shaban Sinani: “Kur autori shkruan se romanet e I. Kadaresë përfaqësojnë thjesht zhvillime formale të reja të romanit të letërsisë shqiptare në pajtim me kanonet e realizmit socialist(…njegovi romani sučestopredstavljaiizraziteformalneformalnenovineovogžanra u albanskojknjiževnosti koja se razvija se u skladu sa estetskimnormamasocialističkogrealizma), kjo ngjan më shumë si ndërlikim i marrëdhënies së shkrimtarit me lexuesin e huaj, se si një parathënie në të cilin kolegu përuron kolegun” (41), për të përfunduar se “…në këtë pikë (kur Qosja e paraqet Kadarenë si shkrimtar të realizmit socialist, v.ime, S.B.), parathënia si akt intelektual dhe si akt moral, pëson një krisje të fortë” (41). Në vazhdim “Në një anë, përmes cilësimit shkrimtar i realizmit socialist, i jepej garanci ideologjike lexuesit të gjuhës tjetër, por në të njëjtën kohë referencat e kuotonin shkrimtarin shumë larg cilësisë së tij krijuese” (41).
Rexhep Qosja: “Romanet e Ismail Kadaresë shpesh kanë sjellë risi të shquara formale në zhanrin e romanit të letërsisë shqipe, e cila është zhvilluar dhe vazhdon të zhvillohet duke iu përmbajtur normave të realizmit socialist” ((Tvrđava, 11). Pra, askund Qosja nuk thotë se Ismail Kadare është shkrimtar i realizmit socialist, po që letërsia shqipe në Shqipëri vazhdon të zhvillohet duke iu përmbajtur normave të realizmit socialist.
Shaban Sinani: “Së fundi, cilësimi i romanit ‘Kështjella’ si roman historik dhe njëherësh si lartësues së epokës komuniste në Shqipëri; si një propozim i tij për një dubblecode leximi, mund të konsiderohet si një shkelje syri lexuesit serb në dëm të tekstit të autorit shqiptar” (41). Fundi fundit leximi është subjektiv, dhe Shaban Sinani nuk është serb i asaj kohe për të ditur se si e përjeton lexuesi serb një dubblecode të leximit të “Kështjellës” atje!
Në fund të kësaj kumtese, Sh. Sinani thotë se kjo parathënie e Qosjes rihap çështjen “shkencore” të receptimit të letërsisë shqipe në gjuhët e fqinjëve, së pari në atë serbokroate, çështjen e përkthimeve të krijimtarisë së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, çështjen e ndërmjetësimit të krijuesve shqiptarë në Kosovë e Shqipëri për botimin në shtetet e tyre dhe për vendin që kanë zënë shkrimtarët shqiptarë të Kosovës në enciklopeditë tematike e të përgjithshme në ish-Jugosllavi, të rolit të përkthyesve, recensuesve, redaktorëve, autorëve të parathënieve, të ndërmjetësve dhe lehtësuesve dhe së fundi edhe të parazgjedhjes së lexuesit prej autorëve dhe solidaritetit të qenë a të munguar me gjuhën tjetër. Po çfarë lidhje ka tema që e shqyrton Shaban Sinani me vendin që kanë zënë shkrimtarët shqiptarë të Kosovës në enciklopeditë (të përgjithshme e tematike) jugosllave, pastaj përkthyesit, recensuesit, redaktorët etj.? Apo qëllimi i tij është të shkruajë sa më shumë faqe për të arritur të bëhet një kumtesë e një konference, prandaj e mbush kumtesën e tij me gjëra të tilla absurde, që nuk kanë kurrfarë lidhje me temën që trajton?!!!
Për ta përmbyllur kumtesën e tij edhe me dy pyetje: Ku bashkoheshin e ku dalloheshin realizmi socialist në ish-jugosllavi dhe ai në Shqipëri në pikëpamje doktrinarë dhe, referuar konceptit të Itamar Even Zohar mbi polisistemet letrare, letërsia shqipe në Kosovë çfarë statusi kishte midis dy kryeqendrave të sistemit: njëra në Tiranë dhe tjetra në Sarajevë… etj. (përmend me radhë kryeqytetet e republikave jugosllave, po përse nuk e përmend vetëm kryeqytetin e ish-Jugosllavisë, këtë nuk e kuptoj.
Përfundim
Rexhep Qosja, krahas shkrimeve për letërsinë e Rilindjes Kombëtare, të cilat kulmojnë me “Historinë e letërsisë shqipe” – Romantizmi I,II,III, është autori kosovar i cili ka shkruar më së shumti për zhvillimet e letërsisë në Shqipëri, sidomos nga gjysma e dytë e viteve ’60 dhe në vitet ’70; ka shkruar për letërsinë shqipe si një dhe të pandarë në kohën kur të tjerët këtë letërsi e kanë ndarë sipas territoreve: në letërsi të Shqipërisë, letërsi të Kosovës dhe letërsi të arbëreshëve të Italisë. Të rrallë janë ata krijues të Shqipërisë: romansierë, tregimtarë, dramaturgë, poetë, që kanë shkruar në atë kohë e për të cilët të mos ketë shkruar profesor Rexhep Qosja, si për romanet e Jakov Xoxës, Petro Markos, Shevqet Musarajt, Ismail Kadaresë, etj.; për tregimet e Naum Priftit, SotirAndonit etj., për dramat e Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës, Loni Papës etj.
Rexhep Qosja, në shkrimet e tij kritike për letërsinë, jo rrallë dallohet si kritik i ashpër i të metave që e përcjellin letërsinë shqipe, ndërkaq, sa i përket Ismail Kadaresë, përveç kritikës që i bën për romanthin “Dasma”, është shprehur në superlativ për vlerat estetike të çdo vepre të tij.
Sa i përket kumtesës së Shaban Sinanit, qartë vërehet se Parathënien e Qosjes ai e lexon në mënyrë tendencioze nga konteksti i sotëm, që është ai i prishjes së raporteve Qose-Kadare, dhe, me gjysmë të vërteta dhe, me të pavërteta fare, i hyn një aventure perfide për ta denigruar kontributin e Rexhep Qosjes dhënë kulturës shqiptare në përgjithësi dhe letërsisë shqiptare në veçanti. Por nuk ia arrin kësaj, për dy arsye: e para, për faktin se teksti i Rexhep Qosjes mund të “preket” nga çdo lexues, dhe e dyta, edhe për faktin se pretendimet e Shaban Sinanit i demantojnë 35 kumtesa të përfshira në vëllimin “Kontributi i profesor Rexhep Qosjes për kulturën shqiptare”, në mesin e të cilave është e vetmja kumtesë mohuese! Dhe, si etnolog që është, Shaban Sinani e di mirë se, sipas Kanunit të Lekës, shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit, ndërsa ai si (bashkë)organizator i një “gostie”, mysafirin e ftuar jo vetëm që nuk e vë në krye të vendit, po bën përpjekje permanente që ta vendosë pas dere! Pastaj flet edhe për “akte morale”!!!
Si përfundim, përpjekja e Shaban Sinanit për denigrimin e figurës së profesor Rexhep Qosjes ka shkuar huq dhe kjo kumtesë, në vend që ta denigrojë punën e pamohueshme të Rexhep Qosjes për kulturën shqiptare, e denigron shkruesin e kësaj kumtese, i cili, ka ndërmarrë këtë ndërmarrje sa absurde, po aq edhe djallëzore.