Madje edhe Ibrahimovic kryeneçi e konsideron të paarritshëm, më të mirin e të gjithëve. Çfarë do të kishte ndodhur nëse Ronaldo nuk do ishte prekur nga lëndimet?
“Merr një pistoletë me vete, dhe në momentin që do të qëllosh, lutu që të jesh aq i shpejtë sa të arrish ta kapësh”.
Këto janë fjalët e Billy Costacurta-s, që shpjegoi të vetmen mënyrë për të ndalur atë që konsiderohej i vetmi “O’ Fenomeno” Ronaldo.
Historia e tij fillon kur ai zbulohet një ditë nga një bankier i quajtur Alexandre Martins, që në kohën e lirë punonte si gjuetar talentesh të rinj, i cili e gjeti atë rastësisht në një fushë në periferi të Rio de Zhaneiros. “Ej mik, kam gjetur një djalë prej ari”, i thotë kolegut të tij dhe ortakut Reinaldo Pitta. Që aty ai lidhi kontratën me Cruzeiro-n, ku pas pak filloi Legjenda e R9.
“T’i jepje topin atij, ishte si të kishe shënuar gjysmën e golit”, thotë braziliani Jairzingo. Në klubin e Belo Horizonte, Ronaldo bën që të për të të flasë e gjithë bota. Nga Amerika e Jugut në Europë.
Pas etapës me ekipin holandez të PSV-së ku kishte luajtur miku dhe patrioti i tij Romario, Ronaldo-n e kërkon Barcelona. Në të vetmin vit katalanas, Fenomeni i mahnit akoma të gjithë me lojën e tij fantastike, driblimet dhe golat e tij të mrekullueshëm.
Këtu përmendim një nga golat e tij më të bukur kundër Compostela-s më 12 tetor 1996, ku trajneri i tij Sir Bobby Robson, i kapur nga kamerat bërtiste: “Nuk mund të jetë e vërtetë! Si ka mundësi?!”
Por çuditërisht, vetëm pas një sezoni (47 gola në 49 ndeshje) Ronaldo vendos të largohet nga Katalunja. Nga aty kalon tek Interi pas blerjes nga Presidenti Massimo Moratti. Tek Interi kaloi për shifrën marramendëse 51 mln euro, duke paguar të gjithë klauzolën e plotë.
Braziliani gjeti dashurinë e pakushtëzuar të tifozëve të Interit, si dhe të trajnerit Gigi Simoni me të cilin kishte një raport unik.
“Roni ishte i mirë, i qeshur dhe bujar. E donin të gjithë. Kishim një raport të shkëlqyer, vetëm se ishte pak dembel. I thoja të stërvitej pak më shumë, dhe ai thoshte: “Mister, 25 gola më mjaftojnë, gjithnjë më “korruptonte” me këto përgjigje”.
Por ndërsa trajneri, tifozët dhe shokët e skuadrës e donin, kishte dhe ata që e “urrenin”, padyshim mbrojtësit kundërshtarë.
Nga Maldini, Thuram, Nesta dhe Cannavaro, këdo që të pyesje se kush ishte sulmuesi më i fortë me të cilin ishin përballur, të gjithë të përgjigjeshin Ronaldo.
“Ishte i papërmbajtshëm. Në kontrollin e parë të tejkalonte, në të dytin të poshtëronte. Një jashtëtokësor”, thotë Fabio Cannavaro.
Madje edhe narcisti Zlatan Ibrahimovic e pranon që: “S’ka për të pasur kurrë më një lojtar të tillë”.
Tek Interi gjithashtu kaloi 5 vite të trazuara, të përfshirë nga zhgënjimet dhe dëmtimet më shumë se sa fitoret. Pas konflikteve me trajnerin Hector Kuper, braziliani transferohet tek kampionët e Europës në fuqi, Real Madrid i Figos, Zidane, Raul.
Pas 4 vitesh e gjysmë me Galaktikët, Fenomeni i habiti të gjithë në merkaton e janarit 2007 kur u transferua tek Milani, rivali i përjetshëm i Interit.
Këdo që të pyesësh se çfarë lojtari ka qenë Ronaldo, përgjigjet janë të njëjtat: “çnjerëzor”, “i jashtëzakonshëm”, “fenomen”.
Por pyetja që të lind natyrshëm është: Çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të dëmtohej? Por një gjë është e sigurtë, që emri Ronaldo do të mbetet në listën e legjendave.