Kryesore Koka-Dako, historia durrsake e ish-miqve armiq

Koka-Dako, historia durrsake e ish-miqve armiq

Portali  Tesheshi ka botuar një historik të raportit mes Lefter Kokës dhe Vangjush Dakos në Durrës.

“Deri të premten mbrëma ai nuk bzante. Ngjante si një qengj i urtë në qeveri, por në pak orë, është kthyer në lajmëtarin e çarjes PS-LSI. Po pse pikërisht ai?  – pyet portali në fjalë dhe shkruan më poshtë ndër të tjera:

“Ministri i Mjedisit dhe ish-kryebashkiaku i Durrësit është politikani që më shumë se askush tjetër ka lëvizur gurët që Edi Rama dhe Ilir Meta të bashkohen në vitin 2013.

Lefter Koka dhe burri  i motrës së tij, Agron Duka janë të dy deputetë dhe nga njerëzit që kanë pasur më shumë influencë në qytetin bregdetar për afro 20 vjet.

Shumë durrsakë tipikë kanë respekt për Kokajt e Dukajt. Edhe pse e kanë sunduar Durrësin ata nuk e rënduan dorën me njerëzit.

Teri siç  i thërrasin Lefter Kokës ka një të metë, siç dhe vëllai  i tij Nari, nuk kanë shumë shkollë; por u treguan biznesmenë të fortë dhe politikanë në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Pas vitit 1999, Kokajt në një aleancë të hekurt me vëllezërit Duku jua hoqën monopolin skraparllinjve Hasanbelliu apo Hasani, të cilët “zaptuan” portin, ish-Pistën, sot Florida tek plazh i Hekurudhës.

Më të butë se Hasanajt, Kokajt në fakt patën të njëtën famë. Teri u zgjodh në vitin 2003 kryebashkiak  i Durrësit me mbështetjen e fortë të Fatos Nanos, i cili  i shtroi edhe rrugën e Urës Dajlanit në drejtim të Plepave.

Me një kundërshtim të fortë të PD-së dhe Hasanajve, Lefter Koka mbijetoi për pak vota. Dhe armikun më të madh bëri Ilir Metën. Aq të madh sa nuk ia harronte lodhjen dhe harxhimin e milionave.

Megjithatë, kunati i tij, Agron Duka ishte bërë ministër e deputet në kohën e Fatos Nanos; Armando, vëllai i Gonit, President i FSHF-së që është edhe sot; kurse Nari ishte njeriu më  i famshëm  i marrëveshjeve të parave që hyjnë e dalin nga Durrësi.

Por u desh një person që do ta trondiste në zemër klanin Koka-Duka, i etiketuar nga Berisha dhe si “Klani i Zemunit”, duke iu vënë një vulë kriminale që në fakt nuk e kanë patur, nëse i referohemi asaj çka vërtet përfason realisht Klani i Zemunit.

Ishte Sokol Olldashi, i cili kishte një lidhje me Durrësin nëpërmjet njerëzve dhe të afërmëve të nënës së tij. Gazetari që nisi betejën me monopolet e këtij qyteti,  arriti të mundë Agron Dukën në Shijak dhe pak muaj më pas, në pozitën e ministrit të Rendit arrestoi Narin, vëllain e Lefter Kokës.

Nami i nxirrosur politikisht klanit Koka-Duka, ndikoi që PS të merrte në rrethin Durrës në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 zero deputetë, e padëgjuar më parë.

Lefter Koka turfulloi dhe nuk i dilte inati. Dhe Edi Rama, si mjeshtër i mizanskenave, e pikasi Terin melodramatik dhe i kërkoi në vitin 2007 një mbështetje për një inxhinier që gatuante beton me nja dy makineri të mëdha, që në fakt nuk i kishte kush në Shqipëri. Quhej Vangjush, shkurt i thërrisnin Gjushi, ishte durrsak-ortodoks por me “rroj e me degë”.

Dhe Teri mbeshteti Vangjushin. Ky u zgjodh kryebashkiak  i qytetit, kur askush nuk ia vuri në pullë. Berisha e dinte Durrësin të fituar. Kandidat kishte një djalë të shkolluar dhe të djathtë si Armand Teliti. Durrsak tipik. Por Gjushi fitoi për një grusht vota. Në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, më shumë bërtitën Teri dhe çunat e Spitallës që dhanë lek e mund, bashkë me kunetërit për të fituar “i vogli” i Ramës.

Por Edi Rama e mori në zyrën e tij Gjushin dhe i dha udhëzimet që të rrijë larg klanit Koka-Duka. Gjushi e zbatoi pikë për pikë. Dy vjet më pas, Lefter Koka, ndërsa përpasej tek “Vollga” me Gjushin që ishte treguar mosmirënjohës, hasi në Ilir Metën me Spartak Brahon.

Pakti u bë menjëherë dhe Teri pranoi të jetë pjesë e LSI-së.

Por ndërkohë Vangjush Dako u kishte marrë Dukajve dhe Kokajve terrenin që ata kontrollonin në Durrës; si dhe u kishte hequr mbështetjen e reputacionin në establishmentin e të fortëve, madje edhe në Spitallën ku Teri është lindur dhe rritur.

Në zgjedhjet e vittit 2011 Lefter Koka dhe Agron Duka, së bashku me vëllezërit natyrisht, luajtën nëntokazi kundër Gjushit që e mbështetën më parë politikisht. Por Gjushi ishte bërë maestro dhe marrëveshjet  i qepi përpara.

Ne keto kushte Lefter Koka dërgoi Narin në Tiranë që të bëjë pakt me Edi Ramën. Rama pranon. Kokajt shpresonin të fitonin pikë nga lart e të zhvendosnin Vangjushin.

Rama afrohet aq shumë me ta sa pranon ftesën e Narit që të negocojë me Ilir Metën për të bërë aleancë sërish. Ai ishte shkes i “ngjalave” që e përhapi në të gjithë Tiranën e Durrësin. Rama madje u shkoi në një ziafet me 12 balerina në dhjetorin e 2012-s që kush ka qenë dëshmitarë rrëfen se kryeministri i sotëm pinte vetëm ujë pa gaz dhe shkruante në telefon, ndërsa Agron Duka kërcente me ritmet e këngës “Nuk ka si Ter Koka”, një variant i ndryshuar i këngës  “Nuk ka si Tirona”.

Rama e mori në qeveri dhe për thuajse 3 vjet Lefter Koka ishte aq mirë me të sa u fol se do të linte LSI-në dhe bashkohej me PS-në. Por planet ia prishi Gjushi. I cili jo vetëm që nuk u tërhoq por lokalet e para që prishi në Durrës ishin të klanit të Terit, madje të parin rrëzoi atë ku Rama festoi me LSI-në e Durrësit bashkimin në koalicion.

Lefteri e pa që Gjushi nuk ishte Gjushi por Edi Rama dhe Vangjush Dako.

“Betonieri i vogël”  pa zë arriti të fitojë tre herë rresht dhe të bëhet njeriu që i garanton PS-së një triumf të pastër në një zonë ku Kokajt e Hasanajt nuk ia dhanë kurrë.

Sipas portalit në fjalë kjo histori duursake është thelbësore për të kuptuar pse pikërisht Lefter Koka dha të premten atë intervistë televizive kunder Vangjush Dakos dhe kunder koalicionit me PS, që ka rikthyer zërat për ndarjen PS-LSI.