Hije skandali po shfaqen mbi çmimet e fundit të FIFA-s, dhënë pak ditë më parë në një ceremoni gala në Milano, e ku Leo Messi triumfoi sërish si “më i miri”, edhe pse dukshëm pas një sezoni pa shumë shkëlqim, ku dhe Barça e tij u sfidua në Champions nga Liverpool.
Messi e morri çmimin në një rivalitet me Virgil Van Dijk dhe Cristiano Ronaldo, duke dalë mbi ta.
Por dje, trajneri kroat Zdravko Logarushiç, i cili është trajner i Sudanit, postoi një foto ku tregon se votat e tij duhej të kishin shkuar për Salah, Mane dhe Mbappé. Pas zgjedhjeve, FIFA njoftoi se Logish kishte hedhur vota për Messin, Van Dijk dhe Mane.
“Kam fotografuar një letër që kam nënshkruar me sekretarin e Federatës së Futbollit Sudanez. Nuk e di se çfarë ndodhi më pas”, tha ai.
Kjo foto u shfaq edhe në Twitter menjëherë pas së cilës, së bashku me nënshkrimin e tij, Logarushiç tha se mund të shihet qartë se për kë i dha votat konkretisht, emër për emër.
Nga ana tjetër, edhe kapiteni i Nikaraguas, Juan Barrera, pretendoi se ai nuk kishte votuar për Messin, megjithëse pikët e tij iu dhanë argjentinasit.
Futbollisti 30-vjeçar madje pretendon se nuk e ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar sepse nuk ka marrë materialin e nevojshëm nga FIFA.
“Unë nuk e votova Messin në kategorinë e ‘lojtarit më të mirë’. U befasova kur e pashë veten në listën e kapitenëve që votuan për Messin. FIFA deklaroi se ajo më dërgoi materiale për të votuar në postë, por unë kurrë nuk e mora atë, kështu që unë nuk mund të votoja”, tha futbollisti amerikanolatin.
Nëse vetëm votat e trajnerit të Sudanit dhe kapitenit të Nikaraguas do t’i hiqeshin Messit, Van Dijk do të zgjidhej si më i miri, sipas totalit të pikëve të fituara.