U deshën vetëm disa minuta, që Diego Godin të “hidhte rrënjë” tek Interi dhe të fitonte zemrat e tifozëve zikaltër. Pasi mbërriti falas në “San Siro”, mbrojtësi ka treguar personalitet, forcë dhe shumë përvojë, saqë Conte vështirë se do të heqë dorë prej tij gjatë gjithë sezonit. Në një intervistë të gjatë me gazetën spanjolle “Marca”, Godin flet për muajt e tij të parë si lojtar zikaltër:
“Jeta ime në Milano? Kam pak kohë për të dalë e njohur qytetin. Midis udhëtimit nëpër Milano dhe stërvitjes në “Appiano Gentile”, nuk kam qenë në gjendje të bëj shumë për të parën. Kohët e fundit pashë “Duomo”. Dita-ditës po adaptohem. Në ekip kam një bashkatdhetar (Matías Vecino), që ma lehtëson fillimin tek Interi. Po kështu, Borja Valero. Jam i lumtur”.
Ju jeni një nga më të rinjtë në grup, por keni më shumë përvojë në dhomën e zhveshjes. A ju shohin tashmë si “shef”? Tek Atletico Madrid ishe…
Unë nuk ndjehem si shef, fare. Kjo situatë është si për dikë, që nis një punë të re. Duhet të futesh pak nga pak në dialektikën e grupit e punëve. Nuk është stili im të imponohem. Po, ndihem i rëndësishëm. Bashkëkojtarët dhe drejtuesit e njohin karrierën time, e dinë kush jam, por unë punoj si të gjithë të tjerët, kapiten apo jo. Po më ndihmojnë shumë. Unë e kuptoj pothuajse të gjithë gjuhën italiane, por nganjëherë e kam të vështirë të shprehem. Tek Interi është një dhomë e ngrohtë zhveshjeje, me njerëz të mirë.
Ju jeni mbrojtës i vjetër. Më parë, në përgjithësi, veteranët respektoheshin më shumë, apo jo?
Po, por gjithçka ka ndryshuar, për të mos përmendur këtë apo atë ekip tjetër. Në Uruguai kam provuar kalimin midis dhomave të zhveshjes me kode më të vjetra se ato të ditëve të sotme, ku ekzistonte një tjetër perspektivë futbolli.
Loja juaj ka ndryshuar tek Interi. Conte luan me tre mbrojtës qendrorë…
E vërtetë, unë po e dërgoj topin shumë më tej (përpara) tani. Më duhet ta filloj lojën në të djathtë, të jem linja e parë e kalimit drejt qendrës, ose korsive. Më duhet të kem përqendrim të veçantë, sepse Conte më bën të luaj më i avancuar. Ka ndryshim nga Atletico, por mendoj se kam inteligjencë të mjaftueshme për t’u përshtatur. Këtu kam misionin që topi duhet të jepet përpara. Unë vrapoj përpara dhe pastaj kthehem. Kjo është ajo që më kërkon Conte. Interi ka një histori të shkëlqyer, është një klub shumë i organizuar.
Në një intervistë tjetër ju thatë se ky Inter ju kujton Atletico Madridin e vitit 2014…
Ne jemi ende në fillim të sezonit. E thashë këtë, sepse dhoma e zhveshjes është po aq e shëndetshme dhe e uritur, sa ishte atëherë tek Atletico Madrid. Të dyja skuadrat janë ndërtuar në bazë të dy teknikëve me shumë personalitet: Cholo dhe Conte. Conte ka një personalitet mjaft të fortë dhe punon shumë orë.
Ata i ngjanë njëri-tjetrit në pasionin e tyre. Cili është ndryshimi mes tyre?
Te detajet. Këtu shohim shumë video, përshembull. E bëjmë këtë jo vetëm për të korrigjuar gabimet e ndeshjeve të luajtura, por edhe duke studiuar rivalët e ardhshëm. Puna taktike në fushë këtu është e ndryshme.
A keni pasur kohë për ta konfirmuar mitin se Seria A është më taktike?
E kam përjetuar kampionatin italian më shumë fizikisht, deri tani. Futbolli ka ndryshuar mjaft dhe tashmë shënohen shumë gola, ndeshjet janë më të hapura, skuadrat i japin përparësi topit. Tani për tani, e kam vërejtur Serie A më shumë fizike sesa taktike.
A mund ta fitoni titullin në Itali, pas tetë vitesh mbretërimi të Juventusit?
Le të shohim. Juventusi kanë shtuar lojtarë të tjerë cilësorë në një ekip, që është formuar për shumë vite. Ky është një avantazh i madh. Sidoqoftë, Interi është ambicioz, ne duam të luftojmë për gjithçka. Është shumë herët të flasim për pjesën finale të sezonit. Do të ketë momente të vështira, natyrisht.
Sa i fortë është partneri juaj, Stefano Sensi?
Në fakt, nuk e njihja atë dhe u befasova shumë. Ai ka cilësi të shkëlqyeshme me topin dhe aftësi për të vepruar, duke përdorur shumë mirë trupin e tij, pavarësisht se është lojtar i vogël.
Përplasja me Juventusin do të vijë brenda një jave. Ju duket shumë herët?
Do të jetë një lojë shumë e vështirë, duhet të përgatitemi më së miri.
Si do të përballeni me Griezmann, i cili është një nga miqtë tuaj më të mirë, të mërkurën e ardhshme, në Ligën e Kampionëve?
Tashmë, kjo gjë më ka ndodhur edhe në Kupën e Botës. Do të përqendrohem në punën time dhe nuk i kushtoj vëmendje asgjëje. Kur të mbarojë ndeshja, do të përqafohemi.
Si e shihni atë ndeshje kundër Barçës?
Kam luajtur kaq shumë ndeshje në “Camp Nou”. Unë e shoh Barçën me shumë posedim topi dhe mjaft të rrezikshme përpara. Imagjinoj që Messi do të jetë atje dhe pres Barçën më të mirë.
E keni një borxh me Champions-in?
Unë do ta quaja një iluzion. Me këtë Inter, vetëm të qenit atje, në fazat përfundimtare të garës, do të ishte e mrekullueshme. Favoritët janë ato të zakonshmit, nuk ndryshojnë shumë nga viti në vit.