Kryesore Negociatat, Rama: “Shpulla” është shpërblimi për atë që kemi bërë?

Negociatat, Rama: “Shpulla” është shpërblimi për atë që kemi bërë?

Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga vendimi përfundimtar i Këshillit Europian, për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryeministri Edi Rama pyeti të premten se ku është shpërblimi për ato që ka bërë deri më tani vendi ynë.

“Do të ishte shumë më e kuptueshme që ka natyrisht të tjerë që kanë mënyrën e tyre të të menduarit dhe thonë “shumë mirë po ecni, por ne kemi problemet tona për momentin”. Por nuk thonë këtë ama. Ata thonë, “po, po, po, gjëra të tmerrshme janë këto që po ndodhin”. Janë të njëjtët persona që thonë keni 3 kushte, pastaj i bëjnë 5 ato, pastaj i bëjnë 9 e 99, për të njëjtën gjë. Ku është këtu shpërblimi për atë që kemi bërë? Është ‘shpulla’? Që të na bëjnë për budallenj?”, pyeti Rama në “Ministerialin e Drejtësisë” që ka bërë bashkë në Tiranë të gjithë ministrat e Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar lidhur me reformat e ndërmarra mbi forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta rajonale që gjenden përpara.

Megjithëse shprehet me një gjuhë të ashpër, Rama thotë se nuk po ia hedh fajin Europës.

“Ndonjëherë njerëzit mendojnë se duke folur me këtë formë, unë ia hedh fajin Europës. Jo unë nuk ia hedh fajin Europës. Po kush tjetër në Europë më shumë se Franca ka të drejtën të mendojë dhe të thotë se Europa nuk po funksionon ashtu siç duhet. Është një nga 2 themeluesit e BE. Është tërësisht legjitime të mendojë se duhen reforma. Por ajo që nuk kuptoj është që pasi Europa të hyjë në një proces të thellimit të reformës së vet, siç thotë Macron, atëherë si mund të na kërkoni ne të ndalojmë thellimin e reformave tona?”

Kreu i ekzekutivit tha se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveç Bashkimit Europian, megjithëse BE nuk është gati për “krushqi”.

“Ne nuk kemi zgjedhje tjetër, nuk kemi alternativë tjetër, nuk ka mënyrë tjetër, ne na duhet të vazhdojmë t’ju duam, e të besojmë tek kjo martesë e jona. Britania ka luksin të mendojë divorcin pas kaq shumë vitesh, ndërsa ne jo. Sepse për ne kjo është hera e parë, është ajo herë e parë që ti e ke ëndërruar, dhe ti nuk e ndalon dot askënd që të ëndërrojë të martohet me atë që do. Bëhet fjalë për dy javë që të kemi ndoshta të kemi ‘shpullën’ tjetër, të radhës, dhe më pas do duhet të shtrëngojmë duart, të pimë ndonjë pije së bashku. Është frustruese, sepse ne na thuhet se ju duam dhe që një ditë do të jemi bashkë, por që duhet të vazhdoni të përmirësoheni e të përmirësoheni. Vjet na thanë se keni bërë punë fantastike, por keni ende për të bërë.”