Papa Françesku emëroi të shtunën 13 kardinalë të rinj nga pjesë të ndryshme të botës, duke përqendruar të ardhmen e Kishës Katolike te njerëzit që ndajnë vizionin e tij për drejtësi shoqërore, të drejtat e imigrantëve dhe dialogun me Islamin.
Dhjetë nga 13 kardinalët e emëruar rishtas janë nën 80 vjeç dhe mund të marrin pjesë në një konklave për të zgjedhur një Papë të ri.
Kardinalët e rinj janë ideologjikisht afër Papës Françeskut, papati i të cilit shënohet nga një theks në pozitën e dobët të migrantëve dhe të varfërve, si dhe promovimin e dialogut me besime të tjera.
Emërimi i kardinalëve të rinj – nga Evropa, si Amerika, Azia dhe Afrika – u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Duke emëruar kardinalët nga vende të ndryshme të botës, Papa Françesku u dha shikueshmëri më të madhe dioqezave të largëta.
Dy nga kardinalët janë nga vendet me shumicë myslimane, Indonezia dhe Maroku.
“Unë mendoj se Papa do që disa kisha që janë pothuajse të padukshme, t’i bëjë të dukshme”, tha Kardinal Cristobal Lopez Romero nga Rabati, kryeqyteti i Marokut.
Të tjerët janë nga Luksemburgu, Italia, Spanja, Portugalia, Britania e Madhe, Lituania, Kongo, Guatemala, Kuba, Kanadaja dhe Angola.