Bota SHBA, katër të vrarë dhe pesë të plagosur në një lokal në...

SHBA, katër të vrarë dhe pesë të plagosur në një lokal në Kansas

Katër persona kanë mbetur të vdekur pasi të shtëna janë dëgjuar në Kansas të dielën në mëngjes. Lajmin e konfirmoi vetë policia e qytetit të Kansasit përmes një postimi në Twitter.

Një person dyshohet paraprakisht se hyri në një lokal dhe qëlloi në drejtim të nëntë personave, konfirmoi policia për CNN. Pesë të tjerët janë plagosur ndërsa autori i dyshuar nuk është kapur ende.

CNN raporton se kur efektivët e Policisë mbërritën në vendngjarje, gjetën katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë brenda lokalit, ndërsa pesë të plagosurit u transportuan në spitalet e zonës dhe janë në gjendje të qëndrueshme.

“Nuk e dimë ende nëse ishte vetëm një person i dyshuar, apo më shumë”, tha Thomas Tomasic, zëdhënës i Policisë së Kansasit. Ai konfirmoi gjithashtu se hetuesit po kryejnë vëzhgimin e kamerave të sigurisë për të zbuluar më shumë mbi ngjarjen.