Bota Erdogan: Nëse na quan pushtues, hapim dyert për 3.6 milion refugjatë

Erdogan: Nëse na quan pushtues, hapim dyert për 3.6 milion refugjatë

Shumë shtete perëndimore e kanë ndjekur me shqetësim tërheqjen e turpave ushtarake amerikane nga Siria dhe ofensivën e Turqisë në këtë vend, e cila filloi ditën e mërkurë.

Një prej shqetësimeve kryesore është se sulmi i ushtrisë turke në veri të Sirisë rrezikon lirimin e mbi 10 mijë luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe të afërmve të tyre që mbahen të burgosur nga militantët kurdë në burgje dhe kampe.

Këta luftëtarë janë kapur nga ushtarët amerikanë dhe militantët aleatë kurdë gjatë luftës së tyre më Shtetin Islamik. Sipas vendeve perëndimore, të burgosurit mund të shfrytëzojnë kaosin që po krijon ushtria turke në betejën me militantët kurdë, për t’u arratisur masivisht nga burgjet dhe për të rikrijuar një tjetër tërësi, të ngjashme me atë të Shtetit Islamik.

Presidenti amerikan Donald Trump, pasi urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga terreni para nisjes së ofensivës turke, është shprehur se ku nuk ishte problemi i tij.

Ai tha: “Vendeve europiane u thashë pasi çliruam territoret siriane nga Shteti Islamik se duhet të merrni dhe t’i dënoni rreth 70 mijë luftëtarë të ISIS-it dhe familjarët e tyre. Ata nuk bënë asgjë. Tani kjo është punë për ta”.

Bashkimi Europian e ka konsideruar pushtim ndërhyrjen e ushtrisë turke në veri të Sirisë. Ndërsa presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në lidhje me këtë akuzë u shpreh duke iu referuar migrantëve sirianë në vendin e tij, siç kishte bërë dhe më parë.

Duke u shprehur se ofensiva ishte për të çliruar Sirinë nga pushtimi terrorist, ai tha: “Europë, eja në vete. Po e përsëris, po e quajtët pushtim operacionin tonë, ne mund të hapim portat për të dërguar drejt jush 3.6 milionë refugjatë”.

Erdogan shtoi se Europa nuk ishte e sinqertë pasi që në vitin 1963 e mbante me shpresën e anëtarësimit Turqinë dhe, në vijim, theksoi se Turqia kishte shpenzuar 40 miliard dollar për refugjatët sirianë dhe se ishte e gatshme të shpenzonte edhe po aq pot të vazhdonte rrugën e vet.

Ofensiva turke në veri të Sirisë synon lirimin e territoreve në kufi me Turqinë nga forcat militare kurde, të cilat konsiderohen nga Turqia të jenë terroriste. Në të njëjtën kohë, Turqia synon krijimin e një hapësire për strehimin e refugjatëve sirianë që ndodhen në territorin turk, raporton Dita, duke iu referuar mediave turke.