Dhënia e Çmimit Nobel për shkrimtarin austriak Peter Handke ka sjellë reagimin e shumë institucioneve dhe politikanëve në Shqipëri, Kosovë, por edhe vende të tjera të rajonit, për shkak të deklaratave të tij në mbrojtje të liderit jugosllav Sllobodan Millosheviç.
Nuk është hera e parë që Handke vihet në qendër të kritikave për deklaratat politike që nuk kanë të bëjnë fare me profesionin e shkrimtarit. Edhe 20 vite më parë, në kulmin e Luftës së Kosovës, flitej për Handke-n. Ai është përmendur edhe nga shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, në librin e tij “Ra ky mort e u pamë”.
Kadare përpiqet të përshkruajë dhe të shpjegojë arsyet e qëndrimit të Handke-s, me të cilin edhe është takuar personalisht në Paris.
“Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.
Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.
E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadorja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.
Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.
Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.
Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “Nuk jam më i njohur si më parë”.
A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.
Ismail Kadare, prill 1999”,
Pjesë nga libri i Ismail Kadare “Ra ky mort e u pamë”
“Ra ky mort e u pamë” është një libër nga Ismail Kadare i shkruar në formën e ditarit, i botuar në vitin 2000. Libri i është kushtuar Kosovës dhe luftës atje gjatë fundit të viteve 1990.