Bota Çfarë do të thotë operacioni ushtarak i Turqisë për botën arabe?

Çfarë do të thotë operacioni ushtarak i Turqisë për botën arabe?

Civilë sirianë largohen nga Ras al Ayn në veri, Turqia ka filluar bombardimet kundër milicëve kurdë. Ky vend thotë se do të krijojë një zonë të sigurisë.

Marshimi i trupave turke në Siri kritikohet ashpër nga qeveritë e vendeve arabe. Por kjo nuk i intereson Turqisë. Ajo i ka hyrë një strategjie, e cila mund t’i ndryshojë forcat në rajon.

Sulme të avionëve luftarakë turq në territore përgjatë kufirit turk, mijëra vetë marrin arratinë. Operacioni ushtarak i Turqisë në veriun e Sirisë ka filluar. Aviacioni ushtarak turk dhe artileria kanë qëlluar 181 objektiva të njësive kurde të njohura si “Njësitë e Mbrojtjes Popullore”, (YPG), deklaroi Ministria e Mbrojtjes përmes twitterit. Zëvendëspresidenti, Fuat Oktay u tregua i kënaqur me zhvillimin e operacionit ushtarak.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan kishte deklaruar më parë, se ai do të shuajë një “korridor terrori” në rajonin e banuar nga kurdët në jug të Turqisë dhe do të sjellë paqen. Këtë e venë në dyshim shumë vëzhgues. “Operacioni ushtarak turk do të ketë ndikime në stabilitetin e të gjithë Lindjes së Afërt dhe situatën politike në nivel rajonal dhe lokal”, thotë eksperti ushtarak libanez, Nizar Abdelkader në intervistë me Deutsche Wellen. Sipas tij, kriza e Sirisë do të bëhet më e komplikuar dhe ky operacion do të sjellë me vete vuajtje dhe mjerim.

Një marshim dhe shumë humbës

Pasojat e operacionit ushtarak turk janë vështirë të parashikohen aktualisht, thuhet në platformën britanike online, “Elaph”. Por kurdët nuk janë humbësit e vetëm. Ai mund të dëmtojë edhe sukseset e luftës anti-terror në botë. Luftëtarët e të ashtuquajturit, “Shteti Islamik” në rajonet kurde mund ta përdorin kaosin për të dalë nga burgjet dhe të shpërndahen në të gjithë rajonin. Nga ana tjetër ky operacion dëmton edhe Turqinë, sepse qeveria i fut njerëzit në një “luftë pa fund” kundër kurdëve, thuhet në “Elaph”. Pasi SHBA i ka trajnuar dhe pajisur me armë kurdët, pritet një luftë e gjatë, analizon ky portal, një luftë që mund të kthehet në “Vietnamin” e Turqisë.

Ndikimet e para të operacionit ushtarak duken që tani. Erdogani reagoi pas kritikës së ashpër si të qeverisë egjiptiane ashtu edhe të asaj saudite. Në adresë të qeverisë së presidentit al-Sisi, Erdogani tha, se Egjipti nuk ka të drejtë të kritikojë operacionin: Qeveria e ka treguar veten si “vrasëse” të demokracisë në vend. Ndërsa për Arabinë Saudite, Erdogan kishte këto fjalë: “Kush e ka vënë pra Jemenin në një situatë të tillë?” Erdogan e lidhi kritikën e tij me koalicionin ushtarak të drejtuar nga Arabia Saudite që lufton kundër rebelëve Huthi në Jemen.

Riorientim i Turqisë?

Këto deklarata dokumentojnë, se sa e ka ndryshuar Erdogani qëndrimin e tij për luftën në Jemen. Nëse në fillim ai e përshëndeti krijimin e koalicionit, tani vihet kundër. Kjo lihet të kuptohet si një shenjë e lehtë në drejtim të Iranit. Edhe kjo qeveri e ka kritikuar ndërhyrjen turke, duke përmendur rreziqet për popullsinë civile. Por në të njëjtën kohë u tha, se Teherani i kupton shqetësimet e Turqisë, për sigurinë në kufijtë jugorë të saj.

Ka edhe një arsye tjetër pse Irani mban distancë me partinë kurde në Siri, PYD. “Gjatë luftës civile në Siri, PYD u kthye në një partner taktik të Teheranit në luftën kundër IS-it”, thotë politologja, Gulriz Sen, që analizon politikën në Lindjen e Afërt për platformën online “Al-Monitor”. Por pas IS-i u mund në masë të gjerë, marrëdhëniet e mira të partisë kurde me SHBA nuk shiheshin me sy të mirë në Teheran. “Prandaj qeveria e Teheranit mbështet pajtimin e partisë kurde me qeverinë e Asadit. Në këtë mënyrë ky vend kërkon të zgjerojë kontrollin mbi Sirinë dhe të dobësojë prezencën e SHBA në Siri”

Humbje pushteti e vendeve arabe?

Pavarësisht si zhvillohet aksi Teheran-Ankara, ato shtete si Emiratet e Bashkuara apo sauditët që ishin deri më tani të angazhuara në Siri e mbështetën xhihadistët kundër regjimit të Asadit, tani kanë dalë në defensivë. Mundësitë e tyre nuk afrohen dot me forcën e një Turqie që vepron hapur ushtarakisht. Kjo vlen tani më shumë, kur një nga aleatët më të rëndësishëm të Arabisë Saudite, SHBA tërhiqet nga Siria, jo plotësisht, por në masë të madhe. Në shtypin arab, kjo komentohet si tradhti ndaj kurdëve, që në luftë kundër IS-it ishin partnerë të SHBA. “Këtë gjë mund ta bëjnë edhe me partnerë të tjerë”, thuhet në platformën arabe online, “Rai-al-youm”. Vetë SHBA prodhojnë tani shumë naftë, gjë që i bën të pavarur, nga ana tjetër ky vend e ka momentalisht të drejtuar vëmendjen nga Kina.

A ka Arabia Saudite arsye për shqetësim? Jo, thotë eksperti saudit, Hasan Dhafer Al-sheri në bisedë me Deutsche Wellen. “Marrëdhëniet e SHBA me mbretërinë janë të thella dhe të gjata.” Vërtet që për momentin ato janë ftohur, por në plan afatgjatë ato do të normalizohen. E në Riad nuk janë shumë të shqetësuar, nëse Uashingtoni largohet. “Sepse ka alternativa. Moska. Pekini dhe Bashkimi Europian.” Por ende nuk dihet, se si do të formësohet marrëdhënia me aleatët e rinj. Ajo që dihet, është se në rajon ka filluar reflektimi për konstelacione të reja.

Kersten Knipp/DW