Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e ftuar në Real Story, ka deklaruar se e sheh si një dështim faktin që të tre fëmijët e saj studiojnë dhe banojnë në kryeqytetin britanik, Londër, një vend me standard shumë të lartë jetese dhe shkolla nga më të mirat në botë.
Kryemadhi tha se ky fakt, e ka shtyrë atë të mendojë se gjërat në Shqipëri duhet të ndryshojnë, ndryshe prindërit shqiptarë do të mbeten vetëm në 15 vitet e ardhshme, sepse fëmijët e tyre do të largohen.
“Fëmijët e mi studiojnë jashtë. Thuhet se kur i çon fëmijët jashtë ke arritur një gjë të suksesshme. Unë kam dështuar, fëmijët e mi duhet të studionin këtu dhe të kishin tjetër standard. Unë do të them që kjo është një situatë që për hir të se vërtetës e ndjej si një obligim që duhet të ndryshojë diçka. Mungesa e të qenurit vetëm të prindërve, është mungesa më e madhe që do të kenë prindërit në 15 vitet e ardhshme“, u shpreh Kryemadhi.
Studimi i fëmijëve të çiftit Meta në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë shpesh shkak që mazhoranca të lëshojë akuza ndaj tyre, për shkak se stili i jetës së zonjës Kryemadhi, nuk përputhet me mënyrën se si ajo bën opozitë dhe faktin se LSI ka qenë në qeveri dy vite më parë, madje ka patur një zëvendësministër Arsimi.