Aktualitet Krimi në shtëpinë e Marsidës, gazetarja: Po hetohet dhe për trafik droge

Krimi në shtëpinë e Marsidës, gazetarja: Po hetohet dhe për trafik droge

Misteret e vrasjes së Dritan Haxhollit në banesën e Marsida Qatjas në Kavajë, kanë qenë temë e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Momentet e para të ngjarjes, vrasja u dyshua për krim pasioni, për shkak se viktima Haxholli ka patur lidhje intime me Marsida Qatjan. Dritan Haxholli dyshonte se vrasësi i tij Bledar Toçi, kishte lidhje me Marsidën.

Por gazetarja Klodina Lala tha në emisionin “Opinion” se hetimet e Prokurorisë janë fokusuar në pistën e trafikut të drogës. Kjo për shkak se në banesën e Marsida Qatjas ku ndodhi përleshja me armë, ka patur mbetje kokaine. Disa prej të pranishmëve në banesë rezultuan se kishin konsumuar lëndë narkotike.

Sipas gazetares, hetuesit kanë dyshime se Dritan Haxhollit mund t’i kenë ngritur kurth kur e thërritën të shkonte në banesën e Marsidës.

“Nuk mund të diskutohet për krim pasioni. Prokuroria po thellon hetimin në pistën e trafikut të drogës. Marsida Qatja ka pretenduar që Haxholli e kishte kërcënuar. Kjo ngjarje ka shumë pikëpyetje. Prokuroria e ka cilësuar si vrasje me dashje. Dritan Haxholli nuk ka vajtur në banesë papritur. Duket sikur është i futur në kurth.

Flitet për një sinjalizim që i ka vajtur Policisë së Kavajës. Dikush lajmëroi policinë që një person i armatosur është duke lëvizur në lagjen nr.2 të Kavajës. Është fshehur fakti që personat që kanë qenë në shtëpinë e Marsida Qatjas, kanë përdorur kokainë. Ka dyshime të forta që këta persona kanë qenë të përfshirë në trafikun e drogës”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

Avokati tregon si u kap me drogë në Gjermani burri i Marsida Qatjas

Edmond Petraj, avokati i bashkëshortit të Marsida Qatjas, ka treguar rrethanat e arrestimit të Indrit Hysenit në Gjermani.

Automjetin, sipas avokatit, burri i Marsida Qatjas ia kishte marrë një mikut të tij për të udhëtuar nga Holanda drejt Gjermanisë. Edmond Petraj sqaroi se klienti i tij, Indrit Hyseni, nuk ishte në dijeni të drogës së fshehur në makinë.

“Është dënuar mes Dyseldorfit dhe Duisburgut. Ai jetonte në Holandë. Ishte në Holandë. Nga Holanda i merr rastësisht një personi makinë dhe niset drejt Dyseldorfit. Atë ditë ka ndodhur operacion rutinë në gjithë Gjermaninë. U ndaluan 1800 persona dhe është ndaluar dhe ky person, në momentin që është ndaluar nuk ka pasur asnjë lloj. Kur i del që kishte të kaluar dhe ishte i dënuar në Shqipëri, i hyn me themel dhe makinës. Ka pasur një rast tjetër në Shqipëri, rast krimi por nuk ka lidhje me drogën. 16 orë bëhet kyqrja fizike e mjetit. Policia gjeti substancë, mbi 6 kg substancë. Prokuroria e ka skanuar. Personi nuk është i lidhur me këtë ngjarje fare. Ky nuk ka lidhje me këtë. Është dënuar për një vepër penale që ka penguar zbulimin e të vërtetës. Por ai nuk kishte lidhje dhe me këtë. Kishte pak muaj që kishte shkuar në Holandë”, tha në “Opinion” Edmond Petraj, avokati i Indrit Hysenit.