Lindon Selahi është përfundimisht i Shqipërisë. Mesfushori, i cili luan në Holandë te Twente, u aktivizua në fund të ndeshjes me Moldavinë dhe tanimë nuk ka më të drejtë të ndryshoje kombëtare. Së fundmi për të kishte interesim nga Belgjika U21, ndërkohë që mediat në Holandë raportojnë edhe për një interesim të Kosovës.
Selahi e kishte ndarë mendjen dhe i ka thënë “po” kombëtares kuqezi dhe arsyet janë të qarta: “Gjyshi im iku në Belgjikë për shkak të luftës. Babai im ka lindur në Belgjikë, kurse mamaja në Shqipëri. Unë vetë ndihem si shqiptar dhe si belg”, ka thënë Selahi për “Tubantia”.
Mesfushori 19-vjeçar pëlqehet goxha nga trajneri Edoardo Reja, i cili e pa gjatë verës Selahin në stërvitje dhe më pas vendosi t’i japë mundësinë të kalojë nga Shqipëria U21 te kombëtarja e madhe.