“Një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe fjalës së lirë”. Kështu është cilësuar Ismail Kadare teksa u nderua me çmimin ndërkombëtar të Letërsisë, “Neustadt”, ose i njohur ndryshe si “Nobeli” amerikan.
Lajmi u bë i ditur nga revista “Literatura Botërore Sot” e Universitetit të Oklahoma të Letërsisë dhe Kulturës Ndërkombëtare, mbrëmjen e së mërkurës.
Fitues i shumë çmime ndërkombëtare, i konsideruar nga shumë si më i madhi i shkrimtarëve bashkëkohorë evropianë dhe i cituar disa herë si pretendent për çmimin Nobel në Letërsi, Ismail Kadare është laureati i 26-të i këtij çmimi ndërkombëtar. “Neustadt” ka një vlerë prej 50 mije dollarësh dhe i jepet çdo dy vjet një poeti, romancieri apo dhe dramaturgu.
Ai daton që nga viti 1970 dhe në të kaluarën është fituar nga emra të njohur të letërsisë si Xhuzepe Ungareti, Gabriel Garsia Markez, Oktavio Paz, etj.
Një muaj më parë Kadare u shpall fitues i çmimit ndërkombëtar “Pak Kiongi” që jepet nga Koreja e Jugut.