Një pauzë kampionati vërtet e mallkuar për Antonio Conten dhe Interin e tij. Pas dëmtimeve të Sanchez që do të mungojë për rreth 3 muaj dhe D’Ambrosios që do të qëndrojë jashtë të paktën 15 ditë, tekniku zikaltër ka humbur sërish edhe shërbimet e Stefano Sensit.
Vetëm një ditë zgjati rikuperimi i plotë i mesfushorit italian nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen ndaj Juves sepse në stërvitjen e ditës së enjte Sensi ka pësuar një tjetër dëmtim muskulor i cili do ta mbajë jashtë fushave edhe për ca kohë, lajm ky që është konfirmuar nga analizat që mjekët e klubit të Interit i kanë bërë sot lojtarit,por në të njëjtën kohë një lajm që ka ardhur edhe si një dush i ftohtë për tifozët.
Dukej se zbulimi i këtij sezoni te Interi do të rikthehej në fushë në sfidën ndaj Borussias së Dortmundit në Champions me Conten që do ta ruante ndaj Sassuolos edhe pse Sensi ishte rikuperuar plotësisht. Por shumë shpejt 24-vjeçari nga Urbino ka pësuar një tjetër tërheqje muskulore dhe sipas asaj që raporton Sky Sport, Sensi do të mungojë minimalisht edhe për 7 ditë të tjera duke humbur me siguri sfidat ndaj ish-skuadrës së tij Sassuolos, Dortmundit por edhe atë ndaj Parmës. Tashmë Vecino dhe Gagliardini duhet të ngrohin motorët dhe të shfrytëzojnë rastet që do t’u jepen nga Conte për të zëvendësuar Sensin.