Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë arrest me burg me efekt ekstradimin për Tesilvan Bashon, “të rrezikshmin” e Selenicës i cili kërkohej nga shteti italian. Ai u arrestua tre ditë më parë, ndërsa mësohet se vazhdon seanca gjyqësore për të përcaktuar edhe masën e sigurisë për veprat penale që Basho ka kryer në shtetin shqiptar.
Tesi alias Tesilvan Basho ishte arratisur nga burgu i Rebibbos në Itali në vitin 2016. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe shfrytëzim prostitucioni. Në vitin 2008, Basho ka vrarë dy prostituta në qytetin e Torinos, njërën prej të cilave e shfrytëzonte për prostitucion.
Ndërkohë, në vitin 2019, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Tesi Bashon, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Përveç kësaj, ai dyshohet edhe për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Sëbashku me të vëllain, Satilno Basho, dyshohet se në janar të 2017 kanë kërcënuar për dhënie pasurie rreth 100 000 euro një shtetas.
Gjithashtu, këta shtetas dyshohen edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Satilno Basho doli sot para trupës gjykuese të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila dha masën e sigurisë “arrest me burg”.