Bota Votuesit kthehen kundër së djathtës populiste

Votuesit kthehen kundër së djathtës populiste

Populistët nën presion

Votuesit kthehen kundër së djathtës populiste. Pas një seri ndryshimesh, ata kanë humbur shumë pikë, por nuk janë përjashtuar totalisht

The Economist

Një vit më parë, politika europiane nuk ishte aspak e qetë. Matteo Salvini, një prej figurave politike më të njohura në Itali dhe një prej figurave më ksenofobe të Francës, ajo e Marine Le Pen u bashkuan me Steve Bannon, ish-strategjistin e Donald Trump, si pjesë e asaj që z. Bannon e quajti “Lëvizja”. Kjo aleancë e partive të së djathtës, me qendër në një manastir afër Romës, synonte të mos lejonte zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme europiane dhe të largonte politikën e kontinentit nga terreni i qendrës liberale.

Sigurisht që edhe ata u përballën me vështirësi, dhe madje të shumta. Euroskeptikët dhe Alternativa për Gjermaninë, partia me bindje të theksuara kundër emigrantëve vendosën të largohen nga z. Bannon, ndërsa të djathtët e tjerë po tregoheshin gjithashtu shumë të kujdesshëm. Por, me ose pa mbështetjen e Svengalit amerikan, populistët dukeshin shumë mirë të pozicionuar, shkruan The Economist.

Në Francë, jelekëverdhët, të cilët kishin mbështetjen e së majtës dhe të djathtës radikale, kishin mbushur rrugët duke zhvilluar protesta shumë të dhunshme. Ndërsa sot, situata është pothuajse krejtësisht ndryshe. Zgjedhjet e majit të Parlamentit Europian shkatërruan të gjitha shpresat e z. Bannon. Liga e Veriut e z. Salvini, vazhdonte të ishte ende e mirëpozicionuar, por pjesa tjetër e partive të qendrës ekstreme të djathtë po humbisnin pikë, ndërsa disa të tjera ishin në stanjacion.

Që prej kësaj periudhe, situata në përgjithësi është përkeqësuar për ta. Z. Salvini nuk është më pjesë e qeverisë italiane, në përpjekjen për të siguruar një pushtet të pakontestuar, ndërkohë që në sondazhe partia e tij ka humbur sërish pikë. Në Hungari, partia populiste në pushtet e Viktor Orbanit po përballet me kërcënimin e humbjes së kontrollit mbi kryeqytetin e vendit, Budapestin dhe mbase edhe të disa qyteteve të tjera, në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më vonë gjatë këtij muaj.

Jelekëverdhët janë “zbutur” nga Presidenti francez, z. Macron. Ndërkohë që së fundmi, edhe partia populiste e Austrisë ka humbur shumë pikë në zgjedhjet e zhvilluara vetëm disa ditë më parë. Megjithatë, situata nuk është plotësisht e zymtë. Edhe atje ku të djathtët kanë humbur pikë, ata nuk janë përjashtuar plotësisht. Në Poloni, për shembull, partia “Ligj dhe Drejtësi”, një prej partive më të njohura të së djathtës populiste pritet të rizgjidhet në zgjedhjet që do të zhvillohen gjatë këtij muaji. Alternativa për Gjermaninë, arriti rezultate shumë të mira në zgjedhjet që u zhvilluan në Gjermani muajin e kaluar.

Por edhe liberalëve u takon me të drejtë të krenohen dhe të kënaqen nga situata e kohëve të fundit. Le të marrin si shembull Austrinë, fillimisht. Në maj të këtij viti, qeveria u rrëzua pasi dy gazeta gjermane publikuan fotot e 2017, të nxjerra nga një vilë në Ibiza, ku ndodheshin zëvendëskancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache dhe lideri i partisë “Liria” së ekstremit të djathtë, të cilët po diskutonin marrëveshje korruptive me një grua e cila është mbesa e një oligarku rus. Pikërisht, për shkak të këtij skandali, në zgjedhjet e 29 shtatorit të këtij viti, kjo parti e ekstremit të djathtë, shënoi rezultatet më të këqija gjatë gjithë karrierës politike. Ajo mori vetëm 16% të votave, pothuajse dhjetë pikë më pak se në zgjedhjet e 2017, dhe humbi 20 deputetë.

Skandali i Ibizas i shkaktoi dëme të shumta edhe partisë Popullore të qendrës së djathtë (öVP) e cila ishte një prej aleatëve më të fortë të Partisë “Liria” (FPö) të ekstremit të djathtë. Lideri i Partisë Popullore austriake, Sebastian Kurz, tani do t’i drejtohet Partisë së Gjelbër, si partneri më i mundshëm për koalicion. Ndërkohë z. Strache është larguar nga politika. Z. Kurz e ftoi partinë FPö në koalicion në vitin 2017, duke u thënë udhëheqësve të shqetësuar europianë se ai mund të qetësonte impulset e tij më të këqija. Mesa duket. z. Kruz ishte më optimist seç duhej. Qeveria u përfshi nga skandale të shumta, edhe pse qëndroi në pushtet vetëm për një kohë të shkurtër.

Këtu mund të përmendim, incidentet raciste që përfshinë zyrtarët e FPö-së, një sulm kundër agjencisë së inteligjencës vendase të orkestruar nga Herbert Kickl, një punonjës i vijës së ashpër të FPö-së, i cili ka shërbyer si Ministër i Brendshëm. Pavarësisht gjithë situatës së përshkruar më sipër, partia FPö, nuk do të thotë se do të zhduket plotësisht nga jeta politike e vendit. Ajo shpreson t’i rikuperojë pozitat e saj edhe si një parti opozitare.

Nëse do t’i referohemi historisë, edhe kjo e fundit do ta mbështesë një fakt të tillë. Kjo parti ka qenë një prej elementëve më të rëndësishëm të politikës austriake për mbi 60 vite. Kur njëra apo tjetra parti kryesore lodhej nga koalicionet madhështore, ato zakonisht drejtoheshin nga partia FPö, për të krijuar koalicione të reja. Prandaj të gjithë presin të dëgjojnë sërish lajme nga kjo parti, ndoshta kur të vijë momenti i duhur. Pothuajse e njëjta gjë vlen edhe për Hungarinë. Sipas sondazheve të fundit, përpara zhvillimit të zgjedhjeve që do të mbahen pas disa ditësh, partia Fidesz e z. Orban vazhdon të mbetet e fuqishme në pothuajse të gjithë fshatrat dhe qytetet e vogla të Hungarisë, por po përballet me një sfidë shumë të fortë nga opozita e bashkuar në Budapest dhe në qytetet e mëdha. Masat e ndërmarra nga Partia Fidesz, kanë qenë të shumta.

Kështu për shembull, në Hungari, aty ku edhe beteja është më e vështirë, ajo ka filluar të ulë çmimin e disa produkteve të ndryshme ushqimore, ku 10 thasë patate u shitën për më pak se 1 euro, dhe ku secili prej tyre mbante të ngjitur edhe një foto të kryetarit për bashki, mbështetur nga partia Fidesz. Ka pasur edhe sulme të ashpra ndaj Gergely Karacsony, kandidatit të opozitës të bashkuar për kryetar të Bashkisë së Hungarisë, i cili në sondazhe del pothuajse në nivele të barabarta me Istvan Tarlos, kryetarin aktual të mbështetur nga partia Fidesz.

Pasi erdhi në pushtet në vitin 2010, z. Orban ndryshoi ligjin zgjedhor të Hungarisë për të krijuar një sistem që favorizonte partinë më të fortë, sigurisht që partinë e tij. Partive të tjera u janë dashur vite të tëra përleshjesh dhe luftimesh për të kuptuar se e vetmja mënyrë për të sfiduar partinë Fidesz, është që ato të bashkohen të gjitha së bashku. Tani ato e kanë bërë një gjë të tillë. Dhe nëse një gjë e tillë do të rezultojë të jetë e suksesshme, atëherë ata do të kenë një platformë të dobishme, nëpërmjet së cilës do të sfidojnë z. Orban në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të ndodhin në vitin 2022.

Ndërsa Italia është shteti ku fatet e populistëve ndryshuan më shumë krahasuar me çdo shtet tjetër. Zgjedhjet europiane ishin një sukses i jashtëzakonshëm për z. Salvini. Partia e tij mori më shumë se një të tretën e votave në Itali. Fushatat, qëndrimi dhe kompromiset e tij mbi emigracionin, bënë që partia e tij të arrinte ato nivele të larta në sondazhet paraprake. Që në fillim të korrikut, ai arriti të merrte në sondazhe rreth 37.5% të votave, një nivel mbështetjeje që e tundoi atë të merrte vendimin e gabuar të një muaji më vonë, për të detyruar rrëzimin e qeverisë, pjesë e së cilës ishte edhe vetë dhe të krijonte një shumicë të re parlamentare.

Qëllimi i një lëvizjeje të tillë nga ana e z. Salvini ishte të katapultonte partnerët e tij të koalicionit të partisë anti-establishment, Lëvizja Pesë Yjet, në krahët e Partisë Demokratike të qendrës së majtë (PD), duke krijuar një shumicë të re parlamentare që do të mbështeste qeverinë e dytë të Giuseppe Conte. I privuar nga pushteti dhe vëmendja e lartë mediatike që tërheq, ai nuk mund t’ia lejojë më vetes që të vazhdojë të mbushë përditë titujt e gazetave kryesore në vend dhe jashtë tij.

Sipas sondazheve, edhe pse mbështetja për Ligën e Veriut ka rënë nën 32%, ajo vazhdon të mbetet partia më e madhe e Italisë, më shumë se dhjetë pikë përpara PD-së apo edhe Lëvizjes Pesë Yjet. Duke e larguar veten nga detyra, ai ka shpëtuar atë edhe nga përmbushja e premtimeve ndaj elektoratit të tij. Më 30 shtator, qeveria e re miratoi një dokument që propozon një deficit të rritur buxhetor prej 2.2% të PBB-së. Një e dhënë e tillë mund të tingëllojë shumë provokuese për Brukselin, duke shkaktuar një përballje të re.

E ardhmja e z. Salvini do të varet nga dy faktorë. E para është emigracioni. Qeveria e re ka hequr dorë nga politika e saj për mbylljen e porteve italiane, duke ia lënë në dorë OJQ-të që shpëtojnë emigrantët që vijnë nga Mesdheu. Në të vërtetë, ajo po shpreson të zgjerojë një skemë të rënë dakord një muaj më parë me Francën, Gjermaninë dhe Maltën për rishpërndarjen vullnetare të azilkërkuesve që zbarkuan në brigjet italiane. Por një rritje në numrin e tyre do të ndikonte edhe në rritjen e popullaritetit të z. Salvini. Edhe pse në nivele të ulëta, numri i tyre është rritur ndjeshëm që nga largimi i tij nga detyra.

Sado popullaritet që të fitojë z. Salvini, Liga e Veriut nuk do të mund të kthehet në pushtet nëse nuk bie koalicioni aktual. Pra, mënyra se si kjo qeveri do t’i menaxhojë konfliktet midis koalicioneve të saj, do të jetë vendimtare. PD-ja dhe Lëvizja Pesë Yjet kanë një histori të gjatë armiqësie të ndërsjelltë, dhe ndarja e fundit brenda PD-së e shkaktuar nga ish-Kryeministri, Matteo Renzi, vetëm sa i ka përkeqësuar akoma më shumë gjërat. Qeveria e re është duke u përpjekur të ndryshojë një sistem zgjedhor që po i vjen në ndihmë Ligës së Veriut. Gjithçka do të varet nga fakti sesa shumë do të arrijë të zgjasë koalicioni PD-Lëvizja Pesë Yjet. Sa i përket z. Bannon, ai është larguar nga manastiri i tij nga autoritetet, sipas të cilave bashkëpunëtorët e tij atje, të cilët mohojnë çdo keqbërje, nuk kanë arritur të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Por në Itali, si kudo tjetër, beteja nuk ka mbaruar ende.