Analisti Mustafa Nano ka debatuar me Kryeministrin Edi Rama mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Diskutimi për mos hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka përplasur analistin me Kryeministrin.
Debati mes tyre përfundoi për mënyrën e veshjes së Kryeministrit Edi Rama dhe që shkoi i veshur në Bruksel, me ato që Mustafa Nano i quan “poture”.
Mustafa Nano: Do na lejosh të shprehemi?
Kryeministri Rama: Shprehu, po s’mund të thuash ti është vendi më i mirë (për Maqedoninë) këmbë mbi këmbë. Pse qenka vendi më i mirë?
Mustafa Nano: Po ç’është kjo arrogancë në vendin më të qelbur të Europës? Edhe për faj të Kryeministrit edhe vjen këtu e na kanosesh ne? Po ç’është kjo? Pse s’të pëlqen kjo e imja ty (këmbë mbi këmbë)? Të na pëlqejnë poturet e tua.
Kryeministri Rama: Këmbë mbi këmbë, vendi më i mirë. Lëre tani. Pse qenka vendi më i mirë?
Mustafa Nano: Sepse është tradicionalisht më i miri. Nuk lidhet vetëm me ju, por këto 6 vite është bërë më i mirë.
Kryeministri Rama: Nuk është e vërtetë! Pse? Më jep një fakt.
Mustafa Nano: Nuk ka azilantë malazezë. Nuk ka azilantë maqedonas.
Kryeministri Rama: Je komplet gabim. Harron të gjithë strukturën sociale të këtyre vendeve dhe harron që ato vende…shko në Mal të Zi, shko në Serbi, shko dëgjoji për faktin që thonë nuk ka njerëz për punë, nuk kanë. Ato vende kanë një strukturë sociale tjetër.
Mustafa Nano: Unë kur shikoj nga shtëpia gazetar me Kryeministër, nuk i kam qejf gazetarët që ngrenë zërin me Kryeministrin se kam qejf që Kryeministrin e vendit tim ta respektoj.
Kryeministri Rama: Dakord, por mos përdor terma ekstremë se pastaj…
Mustafa Nano: Jo nuk përdora ekstrem unë, por ju do më lejoni të flas.
(Kryeministri Rama imiton qëndrimin e analistit Mustafa Nano).
Kryeministri Rama: Ç’është kjo?
Mustafa Nano: Po jo si njeri që shkon me poture në Bruksel dhe çuditet nga këmbë mbi këmbë. Pse u çudite nga pozicioni im?
Kryeministri Rama: Edhe ti shikon nga pantallonat që mësove ngjyrat e veshjeve nga unë? Edhe ti shikon nga pantallonat? I lashë unë ngjyrat, i more ti. Unë s’të them pse i more ngjyrat.
Blendi Fevziu: Po lëre se çfarë lidhje ka kjo.
Kryeministri Rama: Si mund të biesh ti në këtë nivel dhe të thuash shkon me poture në Bruksel? Ç’është kjo fjali, shkon me poture në Bruksel?
Mustafa Nano: Duterte dhe Chavez kanë përdorur veshje…
Kryeministri Rama: Ata kanë shkuar me rroba ushtarake.
Mustafa Nano: Jo mo, me veshje të veçanta.
Kryeministri Rama: Edhe ti merresh me këto mo? Je bërë si ata pensionistët e kohës së Enverit që shikonin pantallonat?
Mustafa Nano: Veshja z.Kryeministër që jeni veshur ju sot, që jam veshur dhe unë, është një veshje e stërtestuar nga koha. Në shekullin e fundit kanë ndodhur revolucione sa të duash. Një nga të paktat gjëra që unk ka ndryshuar është veshja e politikanëve. Duhet ta ketë një arsye kjo. Pse dhe Trump vishet siç është veshur Ëillson para 100 vjetësh? Arsyeja është që nëpërmjet veshjes, njeriu, sidomos politikani që ka të bëjë edhe me masa të mëdha njerëzish të cilat duhet t’i bindi, duhet t’u përcjellë atyre masave qëndrueshmëri, vetëpërmbajtje, sensin e masës, seriozitet. E ka një logjikë.