Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha do të nisë nga kjo e hënë një tur takimesh në të gjithë vendin me strukturat e demokratëve. Basha zhvilloi një takim me kryetarët e degëve të PD paraditen e të shtunës të cilëve i la porosi për intensifikim të takimeve me njerëzit dhe rishikim të listave të votuesve.
Lulzim Basha do të lërë zyrën e tij përgjatë muajit nëntor për të zhvilluar një tur takimesh me strukturat brenda dhe jashtë vendit. Në atë që kryeopozitari e ka cilësuar si “turi i shpresës”, Basha do të dëgjojë problematika dhe do të ofrojë zgjidhjen dhe alternativën e forcës së tij politike përballë demokratëve dhe shqiptarëve. Turin e tij të takimeve, Basha do ta nis të hënën nga Elbasani për të vijuar më pas në qytetet Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Krujë. Në përfundim të takimeve në të gjithë vendin Basha do të jetë prezentë edhe në degët e PD jashtë Shqipërisë.
Paraditen e të shtunës, Basha zhvilloi një takim me krerët e degëve të PD në rrethe të cilëve i kërkoi të intensifikojnë takimet me strukturat dhe verifikimin e listave të zgjedhësve.
Takimet e kreut të PD vijnë pas kërkesave të vazhdueshme të tij në drejtim të kryeministrit për zgjidhje të krizës politike përmes zgjedhjeve të parakohshme.