Për të tretin vit me radhë Cagliari ia del të triumfojë në fushën e Atalantës, të cilën sot e mposhti me rezultatin 0-2 dhe e barazoi me 21 pikë në vendin e katërt të renditjes së kampionatit italian.
Sardët bënë një pjesë të parë perfekte dhe krijuan disa mundësi shënimi, ndonëse golin e gjetën pas një devijimi fatkeq të Palominos me dorë brenda zonës, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë Atalanta mbeti edhe me 10 futbollistë.
Ishte sulmuesi slloven Ilicic ai që në duel e sipër goditi me shqelm njërin prej kundërshtarëve, ndërsa arbitri nuk u mendua dy herë për t’i nxjerrë kartonin e kuq. Në fillim të pjesës së dytë Cagliari gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me anë të Oliva.
Minutat në vijim u zhvilluan me Atalantën që tentoi në mënyrë të vazhdueshme për të rihapur takimin dhe krijoi disa mundësi të mira, por nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa sardët menaxhuan mirë lojën dhe kursyen energji, të ndihmuar edhe nga superioriteti numerik.