Policia njoftoi sot se kishte sekuestruar 750 mijë euro pasuri që i përkisnin një italiani me precedent të theksuar kriminal dhe i dënuar për vrasje në vendin e tij të origjinës.
Italiani është dënuar për dy vrasje për shkak të luftës mes klaneve mafiozë në shtetin fqinj, ndërsa kishte ardhur në Shqipëri për t’i investuar paratë e gjeneruara nga aktiviteti kriminal atje.
Policia dyshon se ai ka qenë pjesë e klaneve të Camorras në Napoli, ndërsa ka ardhur përmes lidhjeve të tij kriminale me personazhe lokal në Shqipëri.
Italiani ka filluar investimet që prej vitit 2012 dhe në vijim ka ngritur kompani të ndryshme duke blerë edhe apartamente dhe njësi tregtare, të cilat kapin vlerën e 750 mijë eurove në total.
Pasuritë e sekuestruara
• 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, në Durrës;
• 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, në Durrës;
• 1 automjet me vlerë 40 000 Euro;
• afro 10 000 euro llogari bankare;
Fazat e operacionit
Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës për asistencë ligjore të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian F. M., 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali.
Shtetasi italian F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin tregtar si vijon:
Në vitin 2012 ka regjistruar shoqërinë sh.p.k, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50 % të aksioneve në pronësi të tij.
Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon F.M.
Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku F. M. ka 30 % të kuotave.
Më datë 29 tetor 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës miratoi kërkesën e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të shtetasit Italian F. M., vlera e të cilave paraprakisht përllogaritet 750 000 euro.