Sport E thonë shifrat: Barça vuan nga “qarku i shkurtër” Messi-Griezmann

E thonë shifrat: Barça vuan nga “qarku i shkurtër” Messi-Griezmann

Leo Messi dhe Antoine Griezmann nuk janë “lidhur” akoma në fushën e blertë. Kjo shihet si një nga arsyet e stonimit të lojës dhe rezultateve të Barcelonës. Dhe kjo nuk shpjegohet vetëm përmes ndjesive, të një “lidhje” të munguar mes argjentinasit e francezit, sikurse do të thoshte Guardiola, por edhe përmes numrave. Duke parë numrat e pasimeve të shkëmbyera nga Messi dhe Griezmann në ndeshjen e mbrëmshme kundër Slavia Prague, shumë gjëra kuptohen. Vetëm 4 pasime, 3 të tillë nga “10” te Griezmann dhe vetëm një nga blerja e re e Barçës për te kapiteni në 93 minuta lojë.

Një hendek që ka ardhur duke u zgjeruar me kalimin e ndeshjeve, që kur ylli nga Rosarino la pas dëmtimin, që e mbajti larg fushave në javët e para të La Liga. Duket qartë se Messi dhe sulmuesi francez nuk e kuptojnë aspak mirë njëri-tjetrin. “Unë po punoj në drejtim të partneritetit me Messi në fushë, kështu që jemi në drejtimin e duhur. Gjithkush duhet të mësojë, do ta përmirësojmë koordinimin me njëri-tjetrin”, – tha ish-lojtari i Atlético Madridit para ndeshjes me Interin, në Champions.

Por, larg nga realiteti, ky partneritet nuk është përmirësuar. Duke parë numrat e kompeticionit madhor kontinental për klubet, është e qartë se ka ende shumë rrugë për të bërë. Vetëm 18 pasimeve mes të dyve në katër ndeshje, e gjitha kjo duke marrë parasysh se Griezmann ka humbur vetëm 50 minuta në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, ndërsa Messi 55 minuta.

Sa i përket marrëdhënies me pjesën tjetër të sulmit, Luis Suarez është partneri i preferuar i Leo Messi, siç pritej. Të dy janë shumë afër, si brenda dhe jashtë fushës. Edhe numrat në Champions e tregojnë këtë: 32 pasime mes tyre në tri ndeshjet që kanë luajtur së bashku.

Duket se argjentinasi funksionon mirë edhe me Ousmane Dembelé. Ky i fundit, pavarësisht se nuk ka pasur rol të madh në këtë fillimsezoni, vazhdon të merret vesh mirë me kapitenin në pjesën e sulmit. Në fakt, të dy kanë shkëmbyer 18 pasime.

Sigurisht, kjo shifër konsiderohet pozitive, duke marrë parasysh që Dembelé ka luajtur vetëm 120 minuta në garën me yje të Kontinentit të Vjetër. Ngjashëm me Ansu Fati, i cili ka luajtur vetëm 84 minuta dhe e përmirëson mesataren e pasimeve të Messi dhe Griezmann me tri pasime më shumë. Të gjitha këto fakte tregojnë se Valverde, gjithashtu edhe të dy protagonistët, kanë shumë punë përpara, për të mirën e Barcelonës. Të gjithë e dinë mirë se, kur ka sukses, vërshëllimat e mbrëmshme në “Camp Nou” do të shndërrohen në duartrokitje.