Sport Venger drejt Bajernit, i ftuar special në ndeshjen me Borusian e Dortmundit

Venger drejt Bajernit, i ftuar special në ndeshjen me Borusian e Dortmundit

Ka filluar të qartësohet disi situata sa i takon pasardhësit të Niko Kovaç në stolin e Bajernit të Mynihut. Drejtuesit bavarezë duket se e kanë gjetur kandidatin ideal dhe ai është francezi Arsen Vengel, i cili ka profilin e duhur për të marrë në dorë fatet e Bajernit.

70-vjeçari francez aktualisht është duke punuar në Katar, në kanalin TV beIN Sports, si ekspert i Ligës së Kampionëve.

“Me shumë mundësi, ai pati paraqitjen e tij të fundit atje. Venger tani është më i preferuari në postin stërvitës në Bayern”, shkruan “Bild”.

Klubi bavarez sheh tek Arsen Venger sharmin e Jup Heinkesit, trajnerit që në vitin 2013 e çoi skuadrën e madhe gjermane te tripleta historike. Përveç kësaj, francezi ka eksperiencë të gjatë dhe flet në mënyrë perfekte gjermanishten. Janë detaje që në Gjermani i vlerësojnë shumë, pas përvojave me Guardiolën dhe Ançelotin.

Të shtunën, në ndeshjen kundër Borusia Dortmund, Venger do të jetë i ftuari special i klubit bavarez. Do të jetë rasti ideal për të hedhur bazat e një akordi mes palëve.

“Më pëlqen Bajerni, sepse gjithmonë ka pasur një filozofi të qartë. Gjithmonë ka dashur t’i dominojë kundërshtarët dhe ka gjithmonë uri për trofe. Për momentin nuk kam folur me drejtuesit e Bajernit dhe nuk e di nëse do të kem një takim me ta”, ka thënë ish-trajneri i Arsenalit ditët e fundit. Përveç Vengerit, i cili mbetet kandidati kryesor, Bajerni po sheh edhe Ralf Rangnik si alternativë.

Në ndeshjen me Olimpiakosin në Champions, bavarezët u drejtuan nga Flik, trajneri provizor. Ata fituan 2-0, duke marrë “biletën” për në fazën tjetër të kompeticionit. Pas kësaj ndeshjeje, disa lojtarë folën për largimin e trajnerit Kovaç.

“Nëse do të kishim bërë më mirë, nuk do të kishte pasur asnjë shkarkim. Por klubi ka marrë një vendim. Nga ana njerëzore, u heq kapelen Niko dhe Robert Kovaç. Janë sjellë me shumë klas dhe u uroj gjithë të mirat. Kemi përjetuar momente të bukura bashkë dhe sigurisht do të shihemi në sy kur të pimë kafe”, tha Nojer. “Kur ka një shkarkim, është gjithmonë një humbje për skuadrën”, – ka thënë Levandovski.