Duket se presidenti francez Emmanuel Macron po bën gjithçka që të prishë ekuilibrin gjerman të Ballkanit Perëndimor në një seri daljesh publike të cilat nuk mund të shpjegohen më vetëm me lirinë e shprehjes. Intervista e fundit e tij për “The Economist” ka zbuluar disa të vërteta që nuk po priten mirë. Deklarata e Macron se problemi në Ballkan nuk është as Shqipëria, as Maqedonia e Veriut, por Bosnja, të cilën e quajti bombë me sahat, ka provokuar reagime në Sarajevë. Kreu i presidencës tripalëshe, Zhelko Komshiç ka thirrur ambasadorin e Francës në Bosnje për të kërkuar sqarime rreth qëndrimeve të presidentit francez, i cili madje foli për rrezikun e kthimit të xhihadistëve.
Kështu zëdhënësi i Komunitetit Mysliman të Bosnjes, Muhamed Jushiç tha se Franca është problemi kryesor europian i xhihadistëve.
“Nga Bosnja u nisën për në Siri dhe Irak, rreth 300 qytetarë, shumica gra dhe fëmijë. Ndërkohë që më shumë se 1900 u nisën nga Franca. Këto ditë pritet që 450 prej tyre të kthehen në Francë dhe nuk e kuptoj sesi një gjë e tillë është më shumë problem në Bosnje sesa në Francë”, tha Jushiç
I vetmi që ka mbështetur Macron ka qenë Milorad Dodik sipas të cilit në Europë sulmohen të gjithë ata që thonë të vërtetën.