Presidenti Ilir Meta thotë se është kryeministri Edi Rama që po krijon krizën artificiale.
“Krizë artificiale që e krijon Rama. Kush punon me memot e mikut Agaci është punë tjetër. Mua askush nuk do guxojë të më dërgojë sekserë qofshin këto kombëtarë apo ndërkombëtarë për të shkelur Kushtetutën sepse këtë Kushtetutë e kam bërë me ndërkombëtarët.”
Meta kishte dhe një reagim ndaj Gjykatës Kushtetuese e cila sot la të kuptohej se nuk e njihte Arta Vorpsin dhe se po përgatiste punën për tre gjyqtarët e betuar tek Meta.
“Nuk ka institucion në botë që mund të guxojë të dalë kundër dekretit tërësisht kushtetues të Presidentit. Nëse del kundër do të dëgjoni edhe përgjigjen e presidentit Ilir Meta. Sa herë ndërrohen diplomatw apo ekspertë të caktuar ndërkombëtarë në Tiranë nuk kam ndërmend të tallem me Kushtetutën e Shqipërisë. Tek Gjykata Kushtetuese vija është e kuqe dhe e kuqe flakë”, tha Meta.
“Puçi” për Kushtetuesen
Presidenti i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë veprimet mes KED dhe Kuvendit, pasi sipas tij, këto institucione kanë mashtruar qëllimisht për të sjellë krizën me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat, Meta tha se vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare me 9 nëntor të këtij viti nga KED, është i njëjti me atë të botuar me 22 shtator në faqen e Gjykatës së Lartë.
Përmes kësaj skeme, tha kreu i Shtetit, Kuvendi do të emëronte tre kandidatë nga dy që i takonin dhe Presidenti do të mbetej me njw nga dy që e kishte të drejtë me ligj dhe Kushtetutë.
Ky proces, paralajmëroi Meta, një ditë do ta ketë ndëshkimin e pashmangshëm në mënyrë që të bëhet mësim për të gjithë që tallen me Kushtetutën dhe ligjin.
“Ajo që është botuar gjoja në Fletoren Zyrtare me 9 nëntor është i njëjti vendim që është botuar edhe në faqen e Gjykatës së Lartë. Shkresa që i dërgojnë Presidentit, këto katër emra është botuar njëherë dhe vendimi ka qenë për tu botuar.
Është botuar me 22 shtator. Ky të njëjtin vendim shkon e boton se ka miq dhe shokë, në mënyrë të paligjshme te Fletorja Zyrtare për të krijuar idenë se ishte KED që e konstatoi këtë vetëzgjedhjen e kësaj zonjës në bazë të gjoja mekanizmit zhbllokues. Është vetëm për efekte mashtrimi për opinionin vendas dhe ndërkombëtar që të krijohet ideja që presidenti e kaloi afatin.
Fakti që kjo u botua në Fletoren Zyrtare do të thotë se kjo hyri në fuqi. Që të justifikojë veprimin e qëllimshëm, në mënyrë që të shmangej zonja Vorpsi si e vetëshpallur dhe të zgjidheshin dy kandidaturat e tjera. Kuvendi nga dy kandidatura që i takonin sipas ligjit të merrte tre dhe Presidenti nga dy që i takonin sipas Kushtetutës dhe ligjit të mbetej me një dhe një t’ia merrnin kështu në këtë mënyrë që besoj se nuk ka fëmijë që nuk e ka kuptuar”, tha Meta.