Politika Vendimi i Kushtetueses, Fevziu: Skandaloze, gjyqtarët e rinj u ndanë politikisht

Vendimi i Kushtetueses, Fevziu: Skandaloze, gjyqtarët e rinj u ndanë politikisht

Sipas gazetarit Blendi Fevziu, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese me vendimin e tyre për ngërçin mes dy anëtareve Marsida Xhaferllari dhe Arta Vorpsit u ndanë politikisht.

Nga studio e emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan, gazetari u shpreh mbrëmë se kjo është skandaloze, ndërkohë që pritej një Gjykatë Kushtetuese e cila do t’i qëndronte mbi kokë politikës.

“Sot është një batutë megjithëse është e rëndë që thotë “fëmija lind i vdekur”. U ngrit gjithë kjo histori e reformës në drejtësi që në fakt mund të ishte e nevojshme. Kishim një Gjykatë Kushtetuese me personazhe që mund të kenë shumë kritika, por gjithsesi kishin një integritet. Befas në votimin e parë të provës, katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë shkuar dhe kanë votuar politikisht. Kanë ndarë dy pro Metës dhe dy pro Ramës, pro parlamentit po themi. Të katër këta njëherë nuk merrnin vendim, duhet të jenë pesë që të marrin vendim. Po u morën pesë marrin vendime. Problemi është kështu që kësaj here këta do mbanin një qëndrim që po e quajmë, juridik për qejf se nuk e impakton. Këta edhe në këtë vendim u ndanë politikisht. Kjo është skandaloze. Të bësh një reformë në drejtësi dhe këta të votojnë politikisht. Tani ata po zihen kush të futet një këndej dhe një andej dhe të ndajnë Gjykatën Kushtetuese. Prisnim një gjykatë Kushtetuese që të mos pyeste për politikën dhe t’u rrinte politikës mbi kokë”, tha Fevziu.

Drejtuesi i emisionit “Opinion” komentoi edhe lëvizjen e Arta Vorpsit e cila nuk u betua te Presidenti, por tek noterja.

“Unë i kuptoj të gjithë këta, por të kuptoj që një juriste që do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë shkon dhe betohet tek noterja, kjo është dhe më e tmerrshme. Më seriozja në gjithë këtë kaos shteti ishte noterja, e cila tha “unë nuk kam zëvendësuar presidentin, kam  vërtetuar vetëm firmën”, u shpreh Fevziu.