Sport Franca, prezenca e Tottit në Tiranë dhe e ardhmja, Hysaj flet për...

Franca, prezenca e Tottit në Tiranë dhe e ardhmja, Hysaj flet për gjithçka

Elseid Hysaj ka dalë në konferencë për shtyp përpara ndeshjes me Francën. Kapiteni i kombëtares ishte përkrah Edi Rejës, trajnerit të skuadrës shqiptare. Mbrojtësi shkodran analizoi ndeshjen kundër Andorrës dhe foli për përballjen e nesërme dhe prezencën e Franceso Totti, i cili do të jetë i pranishëm në “Air Albania Stadium”.

NDRYSHIMI – “Besoj që do hyjmë në fushë si ndeshjet e kaluara, jo si kundër Andorrës. U futëm në nivel mental shumë poshtë, duhet të ishim më të egër dhe më të bindur. E kuptuam gabimin dhe kundër Francës do të hyjmë në fushë me mentalitet tjetër”.

FRANCA – “Sigurisht do të jetë një ndeshje më e vështirë. Franca ka ekip të ri, ka kampionë si Mbappe, Griezmann, Coman. Kanë krijuar një grup më të mirë se në eliminatoret e Euro 2016, por edhe ne kemi ndryshuar pak lojën tonë. Aty luajtëm më shumë me zemër sesa me skema”.

TOTTI – “Thjesht më jep kënaqësi fakti që Totti dhe lojtarë të tjerë do jenë në stadium. Nder për ne që vijnë të shohin ndeshjen tonë. Roma? Dëshiroj të rikuperoj vendin tim te Napoli, më pas të shohim”.

OBJEKTIVI – “Nuk besoj se Franca do vijë të na falë pikë ose fitoren prej stadiumit të ri. Profesionistët janë gjithmonë gati për trepikëshin. Duhet ta kuptojmë se jemi një skuadër të fortë. Dimë të luajmë, kemi një ekip të ri. Dikur vetëm kemi vrapuar. Moldavia pati rastet e veta kundër Francës. Duhet të kemi besim te vetja që jemi të fortë”.

EMOCIONET – “Ne me zemër luajmë prapë së prapë. Me ardhjen e Rejës kemi treguar lojën tonë, po na shkojnë gjërat mirë. Filmi? Më kujtoi disa gjëra që nuk i kam ndjerë brenda fushës. Rastet si me Serbinë, janë ngjarje që të bëjnë mishin kokrra kur i përjeton. Është bukur t’i përjetosh përsëri. Do jetë ndeshje e veçantë. Ne e kemi pasur ëndërr të kemi një stadium të tillë. Do mundohemi ta respektojmë këtë stadium me një ndeshje të mirë, do Zoti me një fitore”.

KAPITENI – “Ndeshja me Andorrën ishte për t’u harruar. E diskutuam pas ndeshjes barazimin. Si kapiten ndjehem mirë, jam gati për të dhënë 120%. Çunat i shoh në sy dhe e kupton ndjenjën që kanë dhe çfarë do të japin nesër. Nëse jemi të qetë, futemi me mentalitet të fortë dhe pa frikë se luajmë kundër kampionëve të botës, mund të bëjmë gjëra të mira. Të jemi të qetë dhe të bëjmë atë që dimë, do i kemi rastet tona”.