Pasi dha shpjegime për llogari të hetimit të atentatit të 1 nëntorit në Shkozet ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe dy të tjerëve, modelja Kejvina Kthella “troket” në dyert e Gjykatës për Krimet e Rënda.
Vajza e showbiz-it shqiptar ka depozituar një kërkesë penale me objekt “kthim të sendeve të sekuestruara”. Sipas burimeve të A2, Kthella kërkon kthimin e aparatit telefonik celular, i cili i është sekuestruar nga prokurorët e Krimeve.
Kthella u mor në pyetje për shkak të miqësisë dhe komunikimeve të shpeshta telefonike, thirrje dhe sms, me Redian Rrajën, personin e vetëm të arrestuar deri tani si të dyshuar për atentatin.
Kërkesa e modeles pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Daniela Shirka në ditët në vijim.
Në ngjarjen kriminale tek rreth-rrotullimi i Shkozetit u plagos prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, miku i tij, Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi, dhe shoferi Andi Maloku. Ky i fundit ndërroi jetë disa ditë pas ngjarjes për shkak të plagëve të marra në atentat./A2