Çfarë përfiton nga mirësjellja? A është vetëm një përqafim i ngrohtë dhe ndjesia e të qënurit i qetë me veten pas një ndihme të ofruar? Këto mund të jenë të vërteta, por veç këtyre shkenca provon se mirësjellja ka efekte shumë më të mëdha se kaq, si për shembull të të zgjasë jetën.
“Ne e kemi parë nga këndvështrimi shkencor. Nuk jemi ulur në një rreth, apo gjysmërreth duke mbajtur duart me njëri-tjetrin. Ne po flasim nga këndvështrimi biologjik, psikik dhe ndërveprimin shoqëror”, thotë për BBC, Daniel Fessler, profesor në Universitetin e Kalifornisë dhe bashkautor në studimin në fjalë.
Fjala “mirësjellje” ka pushtuar së fundmi mediat amerikane falë elegjisë së ish-Presidentit amerikan, Barack Obama kushtuar demokratit Elijah Cummings, që ndërroi jetë muajin e kaluar.
“Mirësjellja është virtyt i njeriut të fortë. Nuk ka asnjë dobësi tek mirësjellja dhe dhembshuria. Nuk quhet dobësi përkujdesja për të tjerët”, tha ndër të tjerë Obama.
Më pas, këtë term e “përditësoi” moderatorja amerikane, Ellen Degeneres, kur përshkroi si “të këndshme” miqësinë e saj me ish-Presidentit amerikan, George W.Bush. “Kur them jini të mirësjellshëm me njëri-tjetrin, nuk nënkupton të jesh i mirësjellshëm vetëm me ata që janë të mirësjellshëm me ty. Nënkuptoj të jesh i mirësjellshëm me të gjithë, pavarësisht se kush është”, tha ajo.
Po shkencërisht, çfarë do të thotë të jesh i sjellshëm? Të paktën sipas këtij studimi të gjithë duhet të jenë të mirësjellshëm, sepse në fund të fundit, bëhet fjalë për “jetë a vdekje”. Studimi i kryer nga Fessler dhe bashkëpunëtorët e tij ka përfshirë qindra persona. Qëllimi ka qenë vëzhgimi i akteve të mirësjelljes dhe sesi ndikonin ato tek të tjerët.
“Në praktikë, njerëzit priren që të jenë agresivë, sa më të panjohur ta kenë një tjetër, aq më pak e vlerësojnë mirëqënien e tij”, thotë Fessler.
Personave që u përfshinë në këtë studim, shkencëtarët u matën parametrat shëndetësore para dhe pas ndërveprimit me persona të tjerë, kryesisht para se të niste orari i punës dhe në përfundim të këtij orari.
Në bazë të këtyre parametrave, studiuesit ishin në gjendje që të gjenin brenda një kompanie se cili ishte “punonjësi më i sjellshëm” dhe cili jo. Por si?
“Ndërveprimi i sinqertë, i këndshëm dhe i mirësjellshëm me të tjerët, përveçse ju plotëson, nga ana biologjike ul presionin e gjakut dhe ka përfitime të tjera që lidhen drejtpërdrejtë me trajtimin e ankthit dhe të depresionit”, thotë Fessler, duke shtuar se si të japësh, ashtu edhe të marrësh mirësi ka të njëjtin efekt kundër ankthit e stresit.
“…dhe të gjithë e dimë se cilat janë efektet e ankthit dhe stresit në shëndetin tonë”, shton ai.
Studiuesit thonë se sa më shumë të gëzonte “statusin i mirësjellshëm, i sinqertë dhe i këndshëm” një person, aq më të ulët e kishte presionin e gjakut. Po këta persona, ndryshe nga grupi tjetër nuk shfaqnin shenja ankthi, apo stresi dhe gëzonin gjatë të gjithë kohës një humor të qëndrueshëm, që rrallëherë i nxjerr nga vetja.
Kelly Hardin, me gradën doktor në Universitetin e Kolumbisë e ka mbështetur më herët këtë tezë në librin “The Rabbit Effect”.
“Mirësjellja ndihmon sistemin imunitar përmes uljes së presionin e gjakut. Kjo ndihmon njerëzit që të jetojnë më gjatë dhe është mahnitshme sepse nuk merret me doza dhe nuk ka efekte anësore. E kemi përditë përpara në komunikim dhe sjellje me të tjerët dhe për më tepër është falas”, thotë ajo.
Studiuesit e pranojnë se ky grup personash sot janë pakicë.
“Nuk e teproj nëse them se sot jetojmë në një kohë të pakëndshme, pa shumë mirësjellje. Si në SHBA, ashtu edhe në pjesët e tjera të botës shohim rritje të konflikteve mes individëve për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike, apo fetare”, thotë Fessler.
Fessler e përshkruan mirësjelljen si “mendimi, ndjenja, besimi që shtyn në ndërmarrjen e një veprimi ku qëllimi fundor është të përfitojnë të tjerët”. Të kundërtën e mirësjelljes e përshkruan si “besimi jotolerant dhe shpërfillja për të tjerët”.