Duhej të ishte një festë futbolli në Prishtinë, por Anglia nuk pati aspak mëshirë për Kosovën duke e mposhtur me rezultatin 4-0 në stadiumin Fadil Vokrri në një ndeshje ku dardanët luajtën mirë për 79 minuta ku pësuan vetëm një gol dhe patën shanset e tyre, por më pas u shkërmoqën nga tre luanët që shënuan 3 herë në 11 minutat e fundit për një fitore të thellë 0-4.
Serinë e hapi Harry Winks mesfushori i Tottenham i cili përfitoi nga një përgjumje e Dresevic duke çarë në mes të zonës dhe duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e Anglisë në minutën e 31-të. Dardanët u përpoqën të reagonin por pa Muriqin dhe Zenelin nuk kishin forcën e duhur për të reaguar dhe në 11 minutat e fundit të ndeshjes ndjenë lodhjen duke humbur përqëndrimin dhe duke pësuar edhe 3 gola të tjerë që mbajnë firmat e Kane, Rashford dhe talentit të Chelsea-t, Mason Mount i cili shënoi golin e tij të parë me Anglinë ashtu si Winks.
Me këtë fitore Anglia e mbylli grupin A në vendin e parë me 21 pikë e ndjekur nga Republika Çeke me 15 që u mposht 1-0 në Bullgari dhe Kosova me 11 pikë. Tashmë dardanët duhet të mendojnë për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut në play-off e Nations League në muajin mars.
Atmosfera në stadium ishts jashtëzakonshme dhe habiti edhe vetë shtypin anglez.
“Nuk kemi patur asnjëherë një pritje të tillë”, shkruan The Guardian në komentin e ndeshjes, duke treguar fotografinë e tribunave plot me flamuj anglezë dhe pankarta ku tregohet mirënjohja e popullit kosovar ndaj Anglisë për periudhën e luftës.