Procesi i zgjerimit është vënë në pikëpyetje pas këmbënguljes së Francës për reformim dhe hartimit të një dokumenti që sugjeron katër kushte kyçe për vendet kandidate.
Këshilli europian do të mblidhet më 12 dhe 13 dhjetor për të diskutuar zyrtarisht nëse do të ketë ndryshime në metodologjinë e pranimit ndërsa komiteti i çështjeve të përgjithshme diskuton sot në Bruksel dokumentin 6 faqësh të dorëzuar nga Parisi zyrtar, tre ditë më parë.
Ministrat e BE-së do të shqyrtojnë kërkesën për një pranim më gradual në BE, mbështetjen me fonde për vendet kandidate, por edhe një politikë më të rreptë të kushtëzimit si dhe pakthyeshmërinë e procesit.
Por miratimi i dokumentit të metodologjisë së zgjerimit varet nga konsensusi i të gjitha shteteve anëtare.
Pas bllokimit të negociatave me Tiranën dhe Shkupin më 18 tetor, Austria, Italia dhe vendet e Vishegradit kërkuan që çështja e zgjerimit të vihet në agjendën e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur. Pritshmëritë tashmë janë që në samitin e Zagrebit i cili do të mbahet në maj të vitit 2020, zhvillimet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të marrin një kthesë pozitive.