Gjykata ka dhënë masën “arrest me burg” për Amarilda Lekën.
33-vjeçarja u arrestua pak ditë më parë, pasi hiqej si juriste e Gjykatës së Lartë. Nga hetimet rezultoi se, Leka kishte mashtruar një qytetare. Me njohjet që ajo kishte do të ndikonte tek trupa gjykuese për të nxjerrë nga burgu një person të dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese.
Edhe në të kaluarën Amarilda Leka ka pasur probleme me ligjin.
Në vitin 2015 e reja u vu në pranga pasi u kishte marrë para familjarëve të Xhorxh Gjokës. Ky i fundit ishte i burgosur për trafik droge me disa vite, ndërsa arsyeja e pagesës prej 25 mijë e 500 eurove u bë se Leka do të ndikonte tek gjyqtarët dhe prokurorët për lirimin e tij.
Katër vite më parë Amarilda Leka u prangos dhe u lirua pas 8 muajsh burg. Nga hetimet e prokurorisë rezultoi paratë Leka i shpenzonte për makina jetë luksi dhe udhëtime në vendet e BE-së.
33-vjeçarja prezantohej si nusja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Madje prej disa kohësh në vitin 2015 Leka ka mbajtur postin e sekretares së shtabit elektoral të ish-ministres së Teknologjisë dhe Informacionit, Milena Harito.