Punë dhe vetëm punë. Antonio Conte ka një çelës të vetëm suksesi në karrierën e tij profesionale si trajner: objektivat dhe përmirësimet arrihen vetëm përmes punës. Kjo vlen jo vetëm për lojtarët që stërvit, por edhe bashkëpunëtorët e tij në stafin teknik.
“Gazzetta dello Sport” intervistoi stafin teknik të trajnerit salentin, prej të cilit mësoi se Conte e kalon pjesën më të madhe të javës së punës në “Appiano”: “Ne jemi si në rrethim në qendrën stërvitore të Interit, kalojmë shumicën e ditës aty. Antonio është një perfeksionist dhe kërkues në punë ndaj lojtarëve. Pa dyshim, i tillë është edhe me ne”.
Një staf bashkëpunëtorësh, që i kalon ditët duke stërvitur skuadrën, duke parë ndeshjet e kundërshtarëve apo ato të vetë Interit për analizë, duke parë video lojtarësh, me qëllim që të gjejnë blerjet e reja më të mira të mundshme për ekipin. Megjithatë, bëhet fjalë për një staf që jo vetëm urdhërohet, por edhe konsiderohet nga Conte. Jo vetëm në nivelin e këshillave, por në mënyrë aktive, të marrjes së vendimeve: “Ai pretendon të na shohë gjithmonë të përfshirë dhe ne kemi detyrimin të propozojmë zgjidhje për problemet, jo vetëm t’i prezantojmë ato. Këtu jemi të gjithë trajnerë. Në fund, pasi na dëgjon, Conte miraton ato që propozojmë, ose korrigjon diçka”.
Çelësi, si gjithmonë, është puna; elementi nga i cili Conte nuk heq dorë asnjë moment, siç dëshmohet edhe para kamerave çdo ditë. Lojtarët e kanë “hijen” e trajnerit pas vetes edhe kur shkojnë në kombëtare, me këshillat e stërvitjes së tyre atletike, siç shpjegon Costantino Coratti, trajner atletik i Interit: “Ne iu japim të gjithë djemve që shkojnë në ekipet e tyre kombëtare programin specifik që duhet të kryejnë, pavarësisht seancave të aplikuara nga trajnerët atje. Kjo është mënyra e vetme për të shmangur humbjen e ditëve themelore të programeve tona stërvitore”.