Një vendim i ri i administratës Trump mbi linjat diplomatike të Uashingtonit në politikën ndërkombëtare mund t’i vejë ende më shumë flakën Lindjes së Mesme, dhe në veçanti marrëdhënies së tensionuar midis Izraelit dhe Palestinës.
Në një konferencë për shtyp sot sekretari i amerikan i Shtetit Mike Pompeo deklaroi se SHBA do të ndryshojë politikën e saj mbi vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara, që deri më tani nga administratat amerikane kanë qenë cilësuar si të paligjshme.
“Përcaktimi e disa vendbanimeve civile si cenuese të ligjit ndërkombëtar nuk ka mundësuar përparime në çështjen e paqes”, deklaroi Pompeo, që shtoi se “e vërteta e hidhur është se nuk do të ketë kurrë një zgjidhje ligjore të konfliktit, dhe argumentet se kush ka të drejtë dhe kush gabim për ligjet ndërkombëtare nuk do të sjellë përparime”.
Sipas tij ligjshmëria e këtyre vendbanimeve duhet të vendoset nga gjykatat izraelite, dhe që ky pozicion nuk pengon një marrëveshje midis Izraelit dhe Palestinës.
Vendimi i administratës Trump vjen pas një serie iniciativash të gjykuara si pro Izraelit, si njohja e Jeruzalemit si kryeqytet, dhe kthen rreth 40 vjet mbrapa politikën e jashtme amerikane në atë rajon, që nga viti 1978 ishte shprehur kundër vendbanimeve që banohen nga kolonët.